Këto ishin shkaqet se si ndodhi aksidenti dje në Rahovec, ku humbën jetën tre persona

Kronikë e zezë

Këto ishin shkaqet se si ndodhi aksidenti dje në Rahovec, ku humbën jetën tre persona

Më: 27 korrik 2019 Në ora: 12:24
Pamje nga vendi i ngjarjes

Shkaktarët e aksidentit në Bërnjak të Rahovecit, ku vdiqën tre persona, janë mospërshtatja e shpejtësisë dhe tejkalimi në mënyrë të pasigurtë.

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur dje, në Bërnjak të Rahovecit. Siç mëson media nga burime brenda organeve të hetuesisë, aksidentin e ka shkaktuar vozitesi me inicialet D.H i lindur në vitin 1959 në Prizren. Aty kanë mbetur të vdekur dy meshkuj dhe një femër dhe janë lënduar edhe dy persona tjerë.

“Pasagjerja me inicialet B.H 1959 nga Prizreni e vetures së shkaktarit të aksidentit është vdekur. Vozitesi i vetures 2 me inicialet I.L i lindur në vitin 1966 nga Rahoveci ka vdekur si dhe F.I i lindur në vitin 1974 nga Prishtina ka vdekur”, tha..

Ndërsa të lënduar kanë mbetur L.J 1973 nga Prishtina dhe S.I 1988 nga Rahoveci.

Për këtë aksident janë dhënë detaje edhe në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

“Fsh. Bërnjak, Rahovec 26.07.2019 – 16:20. Ka ndodhë një aksident trafiku në mes të dy automjeteve me ngasës meshkuj K/Shqiptar. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona dy meshkuj dhe një femër K/Shqiptare. Si dhe tre të tjerë kanë marr lëndime të rënda trupore të cilët janë duke u trajtuar në spital. Me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar për Obduksion”, tha policia.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) ka shprehur shqetësimin lidhur me numrin e lartë të aksidenteve që po ndodhin në Kosovë.

Mbi 40 persona kanë gjetur vdekjen në rrugët e Kosovës për vetëm gjashtë muaj të vitit 2019 dhe kjo është shqetësuese sipas IKSHP.

Ata gjithashtu janë shprehur se shkaku më i shpeshtë i aksidenteve është faktori njeri, duke dhënë kështu disa rekomandime për kujdesin në komunikacion.

Shkaqet janë të ndryshme, por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet pasi në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike, thuhet në reagim.

Me këtë rast Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës jep rekomandimet me qëllim të parandalimit të numrit të aksidenteve në trafik:

Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.

Zbatimi me rigorozitet i Ligjit për komunikacionin deri në ndalesën e vozitjes për shkelje të rënda të përsëritura.

Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijësohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë.

Angazhimi i mas-mediave në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve.

Me fillimin e vitit të ri shkollor të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo – arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit.

Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve.

Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese me vlerësim rigoroz të shëndetit mendor të vozitësve që kanë bërë shkelje të rënda të njëpasnjëshme.

Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve, të kompletohet sinjalizimi dhe respektimi rigoroz i rregullave të parkimit të veturave.

Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare.

Inspektimi rigoroz i autoshkollave dhe kritereve për marrjen e patentë-shoferëve.

Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.

Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme, andaj apelon te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve, pasi automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat