Vrasjet në derë të shtëpisë

Kronikë e zezë

Vrasjet në derë të shtëpisë

Më: 1 gusht 2019 Në ora: 20:06
Ilustrim

Vrasjet në derë të shtëpisë duket se janë kthyer në një formë të preferuar veprimi për larjen e hesapeve mes individëve dhe grupeve rivale në vend.

Ekzekutimi i 40-vjeçarit Feriz Bardhi mesditën e të enjtes në qytetin e Durrësit, e çon në 7 numrin e viktimave që janë vrarë pranë shtëpisë gjatë vitit 2019.

Pasi u qëllua në derën e banesës, Bardhi u dërgua në spital, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra. Vrasja e parë e kësaj natyre ku viktima qëllohet pranë banesës, për këtë vit u regjistrua në Zall Bastar ku shtetasi Arben Gjeçi u qëllua pranë shtëpisë së tij për shkak të lidhjes jashtëmartesore me një grua banuese në zonë.

Kjo ngjarje u pasua me ekzekutimin në derë të shtëpisë të ish-policit Arben Bilali, në zonën e Selitës në Tiranë, ngjarje e dyshuar për larje hesapesh, për të cilën është arrestuar Gjergj Cukali.

Në hyrje të pallatit ku banonte në zonën e Tiranës së Re është vrarë edhe Jurgen Kurti, të cilit tre autorët i zunë pritë pranë zonës së Sheshit “Uillson”.

Pranë banesës gjatë muajve të parë të 2019 janë ekzekutuar dhe dy vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali në Shkodër.

Pranë shtëpisë është ekzekutuar edhe Lirie Xhepa, ndërsa I dyshuar për krimin është ndaluar kunati i saj, Dashamir Xhepa.

Sipas hetimeve në lidhje me vrasjet e ndodhura në harkun kohor të 7 muajve, motivet kanë qenë për larje hesapesh, por dhe për krime pasioni.

Vrasjet e dy vëllezërve Bilali, e ish-efektivit Arben Bilali, Jurgen Kurtit, dhe e Feriz Bardhit në Durrës kanë të njëjtën dinamikë, ku autorët i ndjekin viktimën për disa ditë me radhë, dhe më pas gjejnë momentin e duhur për ti ekzekutuar.

Viktimat e ngjarjeve të kësaj natyre, kanë pasur probleme me drejtësinë por dhe konflikte të hapura me grupe kriminale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat