Ekspertiza: Kamioni që shkaktoi aksidentin në Prishtinë kishte probleme teknike

Kronikë e zezë

Ekspertiza: Kamioni që shkaktoi aksidentin në Prishtinë kishte probleme teknike

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 16:53
Pamje nga vendi i ngjarjes

Pasditen e 23 gushtit në Prishtinë ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku. Një kamion i kompanisë “Pastrimi” të cilit i ishin prishur frenat, kishte goditur disa vetura, duke shkaktuar kështu dëme të mëdha. Express mëson se kamionit i cili shkaktoi aksidentin që do të mund të përfundonte me fatalitet, i është bërë kontrolli i jashtëzakonshëm të cilin nuk e ka kaluar. Ndërkaq, i njëjti kamion disa ditë para aksidentit në rrugën “Agim Ramadani”, kishte shkaktuar edhe një aksident tjetër

Po kthehej nga rruga “Rrustem Statovci” për t’u kyçur ne rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet, por këtë nuk mundi ta bëjë pasi nuk mundi të frenojë në kohën e duhur.

Kështu, kamioni i kompanisë “Pastrimi” u ndesh me disa vetura të cilat ishin të parkuara e disa në lëvizje.

Si pasojë e këtij aksidenti, tre persona ishin dërguar në Qendrën Klinike Universitare, për trajtim mjekësor të plagëve të marra nga aksidenti.

Kompania “Pastrimi” kishte thënë se ky aksident ka mundur t’i ndodhë gjithkujt dhe se të gjitha automjetet e kompanisë kanë kryer kontrollin teknik të cilin e kanë kaluar me sukses.

“Kamioni ka qenë i regjistruar, e ka pasur servisimin në rregull, e ka pasur kontrollimin teknik, jo vetëm ai por të gjithë kamionët e kompanisë vazhdimisht kryhet kontrollimi teknik, si dhe e kemi garazhin në kompani ku mekanikët tanë gjatë 24 orëve kujdesen që kamionët që dalin me kry shërbim nuk guxojnë të dalin me defekt”, pati thënë kompania “Pastrimi”në ditën kur ndodhi aksidenti.

Por, media ka mësuar se menjëherë pas aksidentit në rrugën “Agim Ramadani”, kamioni i kompanisë “Pastrimi” ishte dërguar për kontroll të jashtëzakonshëm me urdhër të Prokurorisë.

“Kamioni nuk e ka kaluar kontrollin e jashtëzakonshëm të cilit i është nënshtruar pas aksidentit”, kanë treguar burime brenda Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, një aksident tjetër trafiku kishte ndodhur në mes të të njëjtit kamion dhe një veture, disa ditë para se të ndodhte aksidenti në rrugën “Agim Ramadani”.

Këtë e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale e Prishtinës.

“Me datën 10 gusht 2019, është raportuar një aksident me dëme materiale ku kane qenë të përfshira dy automjete, një kamion dhe një veturë e tipit BMW. Bëhet fjalë për po të njëjtin kamion (ngasësi ka qenë tjetër person). Pas kompletimit të lëndës ky aksident është proceduar në institucionin përkatës”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Aksidenti i 23 gushtit, përveç dëmeve materiale, nuk kishte pasur pasoja të rënda në njerëz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat