Katër të arrestuar për shitjen e armëve dhe para të falsifikuara

Kronikë e zezë

Katër të arrestuar për shitjen e armëve dhe para të falsifikuara

Më: 6 shtator 2019 Në ora: 16:38
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka kontrolluar tetë lokacione të ndryshme në katër rajone Prishtinë, Mitrovicë, Peje dhe Prizren, ku janë arrestuar katër persona për shitjen e paautorizuar të armëve dhe falsifikim të parave, ku janë konfiskuar 12379.50 euro.

Policia thotë se pas realizimit të operacionit policor me datë 21 mars të këtij viti, ku ishin konfiskuar 99 armë të vogla, e ka vazhduar zgjerimin e hetimeve dhe në bashkëpunim të plotë me prokurorin speciale të shtetit dhe me urdhëresë të gjykatës kompetente, sot nga ora 06:00 ka bërë implementimin e planit operativ ‘PAKOJA’,  me ç’rast janë kontrolluar këto tetë lokacione.

“Hetuesit e DKHO-së, të mbështetur dhe përkrahur nga Njësitë Speciale Operative, njësitet patrulluese kanë arrestuar katër të dyshuar për përfshirje në veprat penale: ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ dhe ‘falsifikim i parave’, të arrestuarit janë I.M.  viti i lindjes 1975, m/k/sh, N.N. viti i lindjes 1975, m/k/sh, N.G. viti i lindjes 1976, m/k/sh, V.I. viti i lindjes 1989, m/k/sh. Si prova materiale janë sekuestruar: 12379.50 euro, dy pako produkte medicinave vlera rreth 10000 euro, pesë fishekë kalibër te ndryshëm, një llaptop, 8 shtëpiza kompjuteri, një DVR, tre telefona celular, dokumentacion të ndryshëm që mund të përdoren për procedura të mëtejme. Po ashtu janë sekuestruar edhe dy bankënota njëra 50 Euro dhe tjetra 20 euro te cilat dyshohet se janë te falsifikuara”, thuhet në njoftim.

Operacioni është mbështetur edhe nga:  ATK, AKPM dhe Dogana e Kosovës.

Me urdhëresë të Prokurorisë Speciale janë ngrirë të gjitha llogarit financiare të të dyshuarve dhe bizneseve të tyre. Po ashtu me aktvendim të prokurorit dy të dyshuarit e parë janë ndalur në mbajtje për 48 orë, kurse dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat