Vrasja në AKI, mbrojtja kërkon hudhje të aktakuzës

Kronikë e zezë

Vrasja në AKI, mbrojtja kërkon hudhje të aktakuzës

Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 12:56
Foto ilustrim

Avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit,Valon Ibërdemaj, të mërkurën, ka kërkuar hudhjen e aktakuzës për rastin e vrasjes që kishte ndodhur në objektin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) në shtator të vitit 2018.

Kurse, prokurori Ilaz Beqiri ka kërkuar kohë për tu përgjigjur në pretendimet e mbrojtjes.

Ibërdemaj akuzohet se në shtator të vitit 2018, në objektin e AKI-së, kishte privuar nga jeta Isa Sejdiun, e më pas, sipas prokurorisë, për të ikur nga vendi i ngjarjes kishte rrëmbyer një punëtore tjetër.

Në seancën e mbajtur të mërkurën, gjykatësja e rastit Shpresa Hasaj-Hyseni deklaroi se në po të njëjtën ditë gjykata e ka pranuar kërkesën për hudhje të aktakuzës, të parashtruar nga mbrojtja, edhe pse vula e pranimit tha se është data 15 nëntor 2019.

Për këtë arsye, gjykatësja tha se kërkesa me shkrim i është dorëzuar prokurorit të rastit pak para se të nisë shqyrtimi i dytë.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Berisha deklaroi se mbetet pranë kërkesës së shkruar dhe dorëzuar në gjykatë.

“Për shkak të çështjeve teknike të mos dorëzimit në kohë te prokurori e kryetarja, gjykojmë se do të ishte fer t’i jepet prokurorisë afat mu përgjigj dhe të merret vendim jashtë seancë. Çka kemi pas është shkruar në kërkesë”, ka thënë ai.

Prokurori Beqiri, deklaroi se i nevojiten 10 minuta pauzë, në mënyrë që të deklarohet lidhur me pretendimet e mbrojtjes gjatë seancës.

Një gjë të tillë e ka konsideruar jo serioze avokati Berisha, mirëpo prokurori Beqiri deklaroi se nuk është detyrë e mbrojtësit që të vlerësojë seriozitetin e tij në punë.

Pas një pauze 10 minutëshe, prokurori Beqiri deklaroi se e ka pranuar kopjen e kërkesës, mirëpo sipas tij e njëjta kishte qenë gjysmake.

Tutje, ai tha se më pas pranoi edhe pjesën tjetër të kërkesës dhe se e njëjta është voluminoze, për çka i duhet kohë për ta analizuar.

“Kam nevojë për kohë shtesë për analizimin e kërkesës së kundërshtimit të mbrojtësit. Kërkoj nga gjykata të më lihet kohë e mjaftueshme në dispozicion dhe përgjigjen në pretendimet e mbrojtësit t’ia ofroj gjykatës me shkrim”, ka deklaruar ai.

Gjykatësja Hasaj-Hyseni aprovoi kërkesën e prokurorit dhe bëri të ditur se lidhur me kërkesën e avokatit do të marrë vendim jashtë seancës, pasi të pranojë përgjigjen me shkrim nga ana e prokurorit, për çka do të njoftohen edhe palët ne procedurë.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur me 14 tetor të këtij viti, Ibërdemaj e kishte mohuar fajësinë për vrasje të rëndë dhe rrëmbim, ndërkaq e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 mars 2019, Valon Ibërdemaj akuzohet se më 4 shtator 2018, rreth orës 09:31, në bufenë e objektit të AKI-së në Prishtinë, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Isa Sejdiu, siç thuhet për shkak të xhelozisë, pasi që tani i ndjeri një ditë më parë në kohën e drekës, duke bërë shaka u ka thënë zyrtarëve të AKI-së se gjoja do të bëhet i madh, pasi ato ditë pritej të emërohej zëvendësdrejtori i AKI-së .

Aktakuza thotë se duke rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarës F.B, derisa i ndjeri ishte në vendin e tij të punës, si menaxher kuzhine, në kuzhinë ka shkuar i pandehuri me revole në dorë të tipit “CZ-M-72”, e kalibrit 7.62 mm, e ka thirrur në emër “Isa”, e tani i ndjeri është përgjigjur duke thënë “Urdhno xhaxh”, dhe i pandehuri menjëherë ka shtënë dy herë në distancë prej rreth tre metrash, e ka goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e më pastaj me revole në dorë ka dal në oborr, i është afruar të dëmtuarës, ia ka vendosur revolen në kokë dhe e ka dërguar deri te vetura e tij, që ndodhej në parkingun e AKI-së.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se pasi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, i pandehuri ka rrëmbyer F.B, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ka qenë duke pirë kafe në oborrin e objektit të AKI-së, papritmas ka dal i pandehuri nga objekti me armë në dorë dhe i është afruar asaj dhe nën kanosje të armës e ka detyruar që të shkojë te vetura e të pandehurit, e cila ishte e parkuar në parkingun e AKI-së dhe e i ka vënë armën në kokë.

Pastaj, sipas aktakuzës, e ka urdhëruar të shkojë në drejtim të portës kryesore të daljes nga oborri i AKI-së, e posa ka mbërritur te porta kryesore, aty i ka kanosur me armë edhe pjesëtarët e sigurimit, duke iu drejtuar me fjalët “e vrava, shkoj çika”.

Në aktakuzë thuhet se ai ka dal nga vetura, ka marrë të dëmtuarën dhe vazhdimisht ka mbajtur armën nga ajo, ndërsa tjetrën dorë ia ka mbajtur rreth qafe, ka ecur për të dalë jashtë objektit dhe kur është afruar te dera ka shkuar te komanda për ta hapur derën dhe aty është penguar nga zyrtari Sh.Sh, ndërsa zyrtari E.B, duke e parë atë gjendje, ka rënë në gjunjë para të pandehurit dhe i është drejtuar me fjalën “nëse dëshiron të vrasësh dikënd, më vrit mua”, e i pandehuri në ato çaste thuhet se i është drejtuar atij me fjalët “vetëm ty ta dha armën”, e më pas ia ka dhënë armën ku edhe është liruar e dëmtuara.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrëmbimi”.

E në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se nga koha e pa përcaktuar e deri më 4 shtator 2018, i pandehuri pa autorizim ka poseduar armën e llojit të lartcekur, me të cilën ka kryer veprën penale, ndërsa gjatë bastisjes nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në banesën e tij është gjetur edhe sekuestruar edhe revolja e tipit “Colt Amadeous ROSSI S.A 38 special” dhe një thikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat