Prokuroria në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër 6 zyrtarëve policorë

Kronikë e zezë

Prokuroria në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër 6 zyrtarëve policorë

Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 12:07
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë zyrtarëve policorë të stacionit policor në Gjakovë, të pandehurve K.GJ., B.P., G.B., A.I., M.U. dhe SH.L.

Sipas aktakuzës, i pandehuri K.GJ., më 14 nëntor 2018, në objektin e stacionit policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar M.A., i cili kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur, për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale, në atë mënyrë që derisa ishte ulur në karrige, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme, derisa nga aty të pandehurin e largon një zyrtar policor.

Në këtë mënyrë, i pandehuri K.GJ., ka kryer veprën penale keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.

Edhe të pandehurit B.P., G.B., A.I. dhe M.U., kanë keqtrajtuar të dëmtuarin M.R., ashtu që me qëllim që të nxjerrin informacione, për personat e tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale, për të cilat i dëmtuari ka qenë i dyshuar, e sulmojnë fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për të cilat është detyruar të kërkonte tretman mjekësor.

Me këto veprime, të pandehurit B.P., G.B., A.I. dhe M.U., kanë kryer veprën penale keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, nga neni 198 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri SH.L., si person përgjegjës në qendrën e ndalimit në Gjakovë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, pasi iu ka mundësuar të pandehurve M.U., G.B. dhe A.I., të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari M.R., të cilët pastaj e kanë keqtrajtuar duke e sulmuar fizikisht.

Në këtë mënyrë, i pandehuri SH.L., ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat