Dënohet me katër vjet burgim i akuzuari që ishte pjesë e ISIS-it dhe luftës në Siri

Kronikë e zezë

Dënohet me katër vjet burgim i akuzuari që ishte pjesë e ISIS-it dhe luftës në Siri

Më: 2 dhjetor 2019 Në ora: 10:30
Foto ilustrim

Katër vjet burg ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, Agon Misini.

Ai akuzohet se në gusht 2015, me pasaportë të falsifikuar, kishte udhëtuar në Stamboll, prej nga kishte shkuar në Siri për t’iu bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS, duke marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, ku edhe më 26 korrik 2017, është arrestuar nga forcat kurde, ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Misini është shpallur të hënën nga gjykatësja e Departamentit Special, Shadije Gërguri.

Gjykatësja Gërguri ka njoftuar se në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha që i akuzuari Misini e ka kaluar në paraburgim, prej 20 prillit 2019.

Po ashtu, gjykatësja Gërguri tha se ndaj Misinit do të vazhdohet masa e paraburgimit me aktvendim të veçantë.

Në emër të paushallit gjyqësor, i akuzuari Misini është obliguar të paguajë shumën prej 50 euro. Në fund, gjykatësja Gërguri ka njoftuar se ndaj këtij vendimi i akuzuari ka të drejtë ankese në afatin prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, i akuzuari Misini në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 29 nëntor kishte pranuar fajësinë për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 7 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Agon Misini, për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 136 paragrafi 2 të KPRK-së.

Prokuroria Speciale pretendon se i akuzuari Agon Misini, më 24 korrik 2015, me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka shkuar në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe ka kontaktuar me përkrahës të organizatës terroriste ISIS, e më pastaj në kohë të pavërtetuar të muajit gusht 2015, me pasaportë të falsifikuar në emër të një personi nga Shkupi përmes Greqisë, ka udhëtuar me autobus për në Stamboll, nga aty ka shkuar në kufi të shtetit të Sirisë.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari Misini me të arritur në Siri i është bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, ku pas trajnimeve taktike dhe luftarake ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë ku edhe më 26 korrik 2017, është arrestuar nga forcat kurde, ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat