Me dy plumba vrau 57-vjeçarin në Malishevë, shtyhet seanca ndaj të akuzuarës - Bota Sot
Me dy plumba vrau 57-vjeçarin në Malishevë, shtyhet seanca ndaj të akuzuarës

Kronikë e zezë

Me dy plumba vrau 57-vjeçarin në Malishevë, shtyhet seanca ndaj të akuzuarës

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 13:54
Foto

Me kërkesë të prokurorit, Ali Uka, është shtyrë seanca e paraparë që të mbahej të enjten, në Gjykatë Themelore në Gjakovë ndaj të akuzuarës për vrasjen në Malishevë, që kishte ndodhur në gusht të vitit 2018, Nafije Rrafshi.

Prokurori Uka, ka kërkuar që seanca të shtyhet në kohë të pacaktuar, meqenëse ka thënë se i duhet kohë për sigurimin e provave të reja.

“I jam drejtuar me kërkesë gjykatës që të shtyhet seanca në këtë çështje penale në kohë të pacaktuar, meqenëse kemi ardhur në përfundim se në këtë çështje penale pas ngritjes së aktakuzës dhe mbajtjes së shqyrtimeve gjyqësore dhe njëkohësisht pas administrimit të shumicës së provave është më se e nevojshme që të mblidhen prova të reja, ashtu që pas sigurimit të tyre me kohë do të njoftohet gjykata dhe do të njoftohet për veprimet e mëtutjeshme”, deklaroi prokurori Uka.

Këtë propozim të prokurorit e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Ndrecë Dodaj, duke shtuar se nuk është e qartë se a kemi të bëjmë me procedurë të nxjerrjes së provave apo hapje të hetimit.

“Nuk e kam të qartë, e as një palë në procedurë e as publiku se a kemi të bëjmë me procedurë të nxjerrjes së provave. Unë çka e kuptova edhe pse prokurori nuk e potencoi kjo kohë prokurorit i nevojitet për hetim ndaj personave tjerë sepse ai është i vetëdijshëm se ky rast dhe kjo e pandehur, e sidomos pas ekspertizave te ekspertëve se kurrë nuk do të vërtetohen pretendimet e prokurorisë ndaj të pandehurës Nafije Rrafshi për shkak të mungesës së guximit profesional. Me këtë kërkesë dhe me këtë formulim po kërkohet të manipulohet trupi gjykues, përkatësisht gjykata”, deklaroi avokati Dodaj.

Sidoqoftë, gjykatësi Shaqir Zika, seancën e ka shtyrë më 16 janar 2020, në ora 10:30.Në seancën fillestare që është mbajtur më 4 mars të këtij viti, e akuzuara Rrafshi, ishte deklaruar e pafajshme për vrasje, ndërsa e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 19 janar 2019, e akuzuara Nafije Rrafshi, akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 09:30 në fshatin Lladrovc, Komuna e Malishevës, me dashje për motive të panjohura, ka privuar nga jeta 57-vjeçarin, tani të ndjerin Sefer Berisha.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që gjersa tani i ndjeri Sefer Berisha, me automjetin e tipit “Opel Vectra”, dhe në momentin kur arrin në rrugën “Habib Zogaj”, e pandehura derisa ishte duke e vozitur automjetin e tipit “Alfa-Romeo”, me të vërejtur tani të ndjerin, e ndalon automjetin pak më larg nga vendi i ngjarjes hynë në automjetin e tani të ndjerit dhe që të dy dalin nga makinat ku qëndrojnë në breg në afërsi të një pylli dhe pas një fjalosje dhe kacafytje e pandehura nga çanta e nxjerrë një revole të tipit “TT”, kalibri 7.62 mm dhe e godet njëherë në qafë dhe pastaj në kokë atë si dhe largohet në drejtim të panjohur.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprat penale “vrasje”, nga neni 178 të KPRK-së. si dhe “mbajtje në pronësi, posedim  ose kontroll të paautorizuar të armës”, nga neni 374. paragrafi 1 i KPRK-së. /Betimipërdrejtësi

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat