Shkaktoi aksident me fatalitet para 8 vitesh, i akuzuari mbrohet në heshtje - Bota Sot
Shkaktoi aksident me fatalitet para 8 vitesh, i akuzuari mbrohet në heshtje

Kronikë e zezë

Shkaktoi aksident me fatalitet para 8 vitesh, i akuzuari mbrohet në heshtje

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 14:48

I akuzuari për rrezikim të trafikut publik, Milazim Rekaliu, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, lidhur me aksidentin me fatalitet që kishte ndodhur në korrik të vitit 2011.

Ai akuzohet se në rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë, kishte shkaktuar aksident trafiku, nga i cili kishte humbur jetën një grua, së bashku me foshnjën dy ditëshe, si dhe ishin lënduar pesë persona të tjerë, përfshirë edhe tani të akuzuarin.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa, i akuzuari Rekaliu deklaroi se pas konsultimit me mbrojtësin e tij, sipas autorizimit, avokatin Besian Syla, kishte vendosur që të shfrytëzojë të drejtën e tij ligjore për t’u mbrojtur në heshtje.

Deklarimi i tij, sipas gjykatësit të çështjes Gazmend Bahtiri, llogaritet si mospranim i fajësisë sipas Kodit të Procedurës Penale.

Gjykatësi Bahtiri, e ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Syla, se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtime me shkrim dhe kërkesë për hudhjen e aktakuzës.

Në lidhje me këtë rast penal, kanë dështuar dy seanca për shkak të mos pajisjes së mbrojtjes me shkresat e lëndës, pavarësisht se sipas tyre kishin bërë kërkesa me shkrim në Prokurori.

Sipas aktakuzës së ngritur më 17 mars 2015, Milaim Rekaliu akuzohet se më 17 korrik 2011, rreth orës 14:45, në rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë, me të arritur në fshatin Sekiraqë, duke drejtuar automjetin e tipit “Mercedes 220 CDI”, ka shkelur Ligjin mbi Trafikun Publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Ai akuzohet se duke mos pasur kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, ka ndërmarrë veprimin e tejkalimit të kolonës së automjeteve, me çka në mënyrë direkte është ndeshur me veturën “VË 19 Golf”, i cili ishte duke lëvizur në shiritin e kundërt të rrugës.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e këtij aksidenti, lëndime vdekjeprurëse ka marrë, viktima femër F.P, së bashku me foshnjën femër dy ditëshe, e të paemëruar. Ndërkaq, sipas aktakuzës, lëndime trupore kishin pësuar H.P, J.P, Sh.P, I.B, Sh.R, dhe vet i akuzuari.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378, paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat