I riu nxirret në pritë në Astir, thirret nga lokali dhe vritet

Kronikë e zezë

I riu nxirret në pritë në Astir, thirret nga lokali dhe vritet

Më: 21 janar 2020 Në ora: 08:08
Ilustrim

Një 28-vjeçar u vra mbrëmjen e djeshme (20 janar) me armë zjarri në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.45 në zonën e Astirit.

Viktima është identifikuar si Vilson Tafçiu nga qyteti i Dibrës i cili mësohet se mbante dhe mbiemrin Noka.

Mësohet se 28 vjeçari kishte ardhur në kryeqytet pak ditë më parë për arsye familjare.

"Në një rrugicë, në afërsi të një lokali, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi V.T, rreth 28 vjeç, i cili më pas ka gjetur vdekjen" thotë policia.

Viktima u nxor në pritë - Nga informacionet paraprake 28 vjeçari ka qenë i shoqëruar nga dy femra në lokal. 

Ai është thirrur nga njerëz ende të paidentifikuar në pjesën anësore të lokalit në një rrugicë ku është qëlluar për vdekje. Viktima ka marrë 3 plumba në gjoks.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë bërë rrethimin e zonës në një perimetër të gjerë.

Disa të shoqëruar-Autoritetet kanë shoqëruar në komisariat dëshmitarë okularë që ndodheshin në lokal.

Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore si dhe vijon puna nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Tafçiu me precedent penal- Nga informacionet e përcjella nga gazetari i Ora News, Besar Bajraktaraj, mësohet se 28 vjeçari është ekstraduar dy vite më parë nga Franca, ndërkohë që autoritetet bëjnë me dije se Tafçiu është akuzuar për trafikun e lëndëve narkotike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat