Një muaj paraburgim ndaj profesorit që akuzohet për sulm seksual ndaj nxënëseve në Vushtrri

Kronikë e zezë

Një muaj paraburgim ndaj profesorit që akuzohet për sulm seksual ndaj nxënëseve në Vushtrri

Më: 23 janar 2020 Në ora: 06:49
Foto ilustrim

Dy nxënëse të Gjimnazit “Eqrem Çabej” në Vushtrri të hënën raportuan në Policinë e Kosovës se u ngacmuan seksualisht nga mësimdhënësi i Edukatës Fizike, H.A.

Këtë e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë, duke treguar se për të është bërë edhe kërkesa për paraburgim.

“Mund të konfirmoj që prokurorja e Departamentit për të Mitur ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për një (1) person me iniciale H.A, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’ ndaj dy të miturave”, ka thënë Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka miratuar këtë kërkesë dhe të mërkurën i ka caktuar 1 muaj paraburgim mësimdhënësit të dyshuar për veprën penale “sulm seksual”.

Mirëpo, sipas drejtorit të shkollës, tek ata është denoncuar vetëm një rast nga një nxënëse dhe prindi i saj.

Të dy të miturat janë nxënëse të klasës së dhjetë dhe H.A është kujdestar i klasës së tyre.

Ndërkaq, pas raportimit, drejtoria komunale e Arsimit në Vushtrri, e ka suspenduar mësimdhënësin.

H.A është mësimdhënës në gjimnazin “Eqrem Çabej” tash e 20 vjet. Ai është edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, e cila pas raportimeve ia ka pezulluar statusin e anëtarit të kësaj partie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat