Gjakovari e pranon se posedoi marihuanë, thotë se disa herë e kishte shitur për 1 euro

Kronikë e zezë

Gjakovari e pranon se posedoi marihuanë, thotë se disa herë e kishte shitur për 1 euro

Më: 31 janar 2020 Në ora: 15:57
Foto ilustrim

 I akuzuari për posedim të narkotikëve me qëllim të shitjes, Ardian Ymeri, e ka pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Ai po akuzohet se ka poseduar narkotikë të llojit marihuanë, me peshë prej 1.71 gram, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, i akuzuari Ymeri deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Fajin e pranoj. Barin e kam përdorë për nevoja personale. Është e vërtetë se dy tri herë i kam dhënë narkotikun shokut dhe se për atë më ka dhënë nga 1 euro”, deklaroi i akuzuari Ymeri.

Prokurori Uka nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, duke shtuar se gjykata gjatë caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit ta ketë parasysh sinqeritetin e të akuzuarit.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Agim Haraçia, i angazhuar sipas detyrës zyrtare, deklaroi se klienti i tij fajësinë e ka pranuar, pasi që është konsultuar me të dhe se një gjë të tillë e ka bërë në mënyrë vullnetare, pasi që ka njoftuar në lidhje me pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.

Ai shtoi se gjykata duhet ta merrr si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë me rastin e shqiptimit të dënimit.

Gjykatësi Mentor Bajraktari, pasi që e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ka caktuar 4 shkurtin për shpalljen e aktgjykimit.

Image

 

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ardian Ymeri, po akuzohet se ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë me qëllim të shitjes.

Siç thuhet në aktakuzë, në ditën kritike më 9 tetor 2019, rreth orës 19:00, në rrugën “Nëna Terezë” në Gjakovë, pikërisht para derës së hyrjes së banesës së të akuzuarit, është ndaluar nga ana e njësiti DHTN-së, dëshmitari B.S, i cili ishte duke e pritur të pandehurin Ymeri për t’ia sjellë një sasi të narkotikut dhe në çastin kur del ai, atë e kontrollojnë dhe e bastisin njëkohësisht edhe banesën e tij, me ç’rast gjejnë dhe sekuestrojnë substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej rreth 1.71 gram.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” nga neni 267 paragrafi 1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat