Operacioni “Ryshfeti” vë në pranga gjithsej tre të dyshuar

Kronikë e zezë

Operacioni “Ryshfeti” vë në pranga gjithsej tre të dyshuar

Më: 6 shkurt 2020 Në ora: 10:11
Ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës përmes një njoftimi për mediat ka dhënë informacione për arrestimin e dy zyrtarëve policorë dhe një qytetari, të cilët dyshohet se ishin përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

Ky është njoftimi i IPK-së:

Inspektorati Policor i Kosovës kishte pranuar informacione përmes rrugëve operative se dy të dyshuar (zyrtarë policorë në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit) mund të jenë të përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent filluan të ndërmerrnin veprime hetimore -operative duke përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit ndaj dy zyrtarëve policorë dhe një qytetari.

Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura si dhe bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, mbrëmë në Prishtinë është realizuar operacioni i koduar me emrin: “Ryshfeti”, i cili rezultoi me arrestimin në flagrancë të një zyrtari policor dhe të një qytetari.

Zyrtari policor Lavdim Osmani (zyrtar policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit) është arrestuar nga hetuesit e IPK-së me dyshimin se ai kishte kryer veprën penale: “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni “Ryshfeti”, ka vazhduar me bastisje në dy lokacione të ndryshme (një në Prishtinë dhe tjetri në Vushtrri) ku janë gjetur prova të konsiderueshme dhe është arrestuar edhe i dyshuari tjetër  – zyrtari policor me inicialet Lutfi Menxhiqi (rreshter policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit).

Rreshteri policor është arrestuar me dyshimin se ai kishte kryer veprën penale: “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armëve”.

Të të arrestuarve në këtë rast nga Inspektorati Policor me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Veprimet e mëtejshme hetimore, lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat