Policia e Kosovës: Huazimi i gazit lotsjellës për Policinë e Shqipërisë është bazuar në Marrëveshjen e bashkëpunimit

Kronikë e zezë

Policia e Kosovës: Huazimi i gazit lotsjellës për Policinë e Shqipërisë është bazuar në Marrëveshjen e bashkëpunimit

Më: 11 shkurt 2020 Në ora: 14:48

Policia e Kosovës ka sqaruar sot rreth raportimeve në media se i ka dhënë gaz lotsjellës Policisë së Shqipërisë.

Policia e Kosovës thekson se huazimi i gazit lotsjellës fillimisht është bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve policore.

“Huazimi i gazit lotsjellës fillimisht është bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve policore, si dhe mbi pëlqimin e realizuar nga të dy ministritë kompetente, ajo e Punëve të Brendshme dhe e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës. Në aspektin ligjor paraprakisht janë marrë mendimet pozitive edhe nga ana e Zyrës Ligjore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RKS-se dhe e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe pëlqimin e dhënë nga ana e kompanisë prodhuese të gazit lotsjellës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka shtuar se bazuar në procedurat e parapara ligjore, marrëveshjen e bashkëpunimit të hartuar mbi bazën ligjore, pëlqimin dhe autorizimin e ministrive kompetente, pëlqimin e kompanisë dhe mendimin pozitiv të zyrave ligjore, është bërë huazimi i gazit lotsjellës.

“Mbi bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shtetet fqinje në këtë rast jo vetëm me Shqipërinë, Policia e Kosovës shkëmben personel policorë, patrullime dhe trajnime të përbashkëta si dhe pajisje logjistike sipas nevojës. Policia e Kosovës, inkurajon mediat dhe gazetarët që para publikimit të informacioneve, t’i drejtohen policisë, për sqarimin e informacioneve dhe marrjen e informatave zyrtare, në mënyrë që të ketë informim të drejtë të opinionit publik, sepse të gjitha veprimet e ndërmarra janë realizuar sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndryshe në media është raportuar se Policia e Kosovës përmes një marrëveshje sekrete në mes drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe Ard Veliut, drejtorit të Policisë së Shqipërisë i ka huazuar gaz lotsjellës Policisë së Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat