Dështon seanca për rastin e vrasjes së rëndë në Vushtrri

Kronikë e zezë

Dështon seanca për rastin e vrasjes së rëndë në Vushtrri

Më: 25 qershor 2020 Në ora: 16:07
Foto Ilustrim

Ka dështuar të mbahet seanca e Gjykatës së Apelit, për rastin e vrasjes së Kujtim Mehollit, që kishte ndodhur në gusht të vitit 2017.

Në këtë seancë ishte paraparë të shqyrtoheshin e ankesat e palëve të ushtruara kundër aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilin aktgjykim, i akuzuari Liburn Ajazaj ishte dënuar për vrasje të rëndë kurse, Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli për ndihmë në kryerjen e vrasjes s rëndë.

Shkak i dështimit të seancës u bë mungesa e të akuzuarve në seancë, të cilët aktualisht gjenden në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për mos sjelljen e të akuzuarve në seancë, zyrtarë të Shërbimit Korrektues thanë se nuk kanë pranuar urdhërese nga ana e Gjykatës së Apelit, andaj për këtë arsye nuk ishte bërë edhe transporti i tyre nga qendra e paraburgimit për në Pallatin e Drejtësisë ku ishte paraparë të mbahej seanca.

Në mungesë të të akuzuarve, kolegji i Apelit në përbërje nga gjyqtarët, Kreshnik Radoniqi, Xhevdet Abazi dhe Abdullah Ahmeti vendosën për shtyrjen e seancës për 2 korrik 2020.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 23 dhjetor 2019, i kishte dënuar me 28 vjet burgim tre të akuzuarit për rastin e vrasjes së rëndë te lumi “Sitnica” në Vushtrri.

Liburn Ajazaj, Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, akuzohen se më 6 gusht 2017, për motive të ulëta dhe në mënyrë mizore, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

I pandehuri Liburn Ajazaj, ishte dënuar me 18 vjet burg për vrasje të rëndë, ku në këtë dënim do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa i është shqiptuar gjobë prej 300 euro për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, të pandehurit Rejahan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, secili veç e veç ishin dënuar me nga 5 vjet burgim efektiv, me ç’ rast në këtë dënim do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë dënim e kishte shqiptuar trupi gjykues me kryetar Tomisllav Petroviq, pasi më 19 dhjetor 2019, ishte mbajtur fjala përfundimtare në këtë rast.

Fillimisht, Liburn, Rejhan  dhe Qëndrim Xhakolli, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, akuzoheshin se më 6 gusht 2017, për motive të ulëta dhe në mënyrë mizore, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

Mirëpo, trupit gjykues, në seancën e fundit që ishte mbajtur në shkallën e parë për këtë rast, e kishte rikualifikuar veprën penale për Rejhan Ajazajn dhe Qëndrim Xhakollin, nga bashkëkryerje, në ndihmë në vrasje të rëndë, për shkak se siç kishte thënë gjykatësi Petroviq, veprimet e këtyre të pandehurve nuk kanë përmbushur elementet e formës së bashkëkryerjes.

Të akuzuarit Liburn dhe Rejhan Ajazaj, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 4 korrik 2018, kishin pranuar fajësinë për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, përderisa i akuzuari Qëndrim Xhakolli ishte deklaruar i pafajshëm.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve Ajazaj, nuk e kishte pranuar kryetari i trupit gjykues Tomisllav Petroviq pasi që sipas tij, ekziston lidhshmëria se të tre të akuzuarit, në bashkëkryerje e kanë kryer këtë vepër penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 18 qershor 2018, Liburn Ajazaj, Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, akuzohen se më 6 gusht 2017, rreth orës 00:50, në shëtitoren “Enver Zymberi” afër lumit “Sitnica” në Vushtrri, duke vepruar së bashku dhe me marrëveshje paraprake, me dashje, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli, në mënyrë mizore dhe për motive të ulëta.

Bazuar në aktakuzë, vepra është kryer në atë mënyrë, që fillimisht e akuzuara Rejhan, e cila thuhej se ishte në lidhje dashurie me tani të ndjerin Kujtim, e fton të ndjerin në një takim, i cili pasi që takohet me të akuzuarën në fjalë, i njëjti është përcjellë nga dy të akuzuarit Liburn Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli.

Në aktakuzë thuhet, se pasi që e akuzuara Rejhan takohet me të ndjerin Kujtim, ky i fundit kërkon që të shkojnë afër lumit, meqenëse po lëvizin njerëz, dhe me të arritur aty, i akuzuari Liburn, i cili kishte qenë prapa tyre, kishte filluar që ta fyej tani të ndjerin Kujtim.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se i ndjeri Kujtim Meholli, i është drejtuar të akuzuarit Liburn që të merren vesh me fjalë, mirëpo siç ceket në aktakuzë, ky i fundit me shufër metalike, fillon ta godasë tani të ndjerin, i cili nga goditjet e marra humb vetëdijen dhe bie përtokë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj, kanë vazhduar ta godasin atë dhe më pas duke e ngulfatur me një lidhëse, e më pas duke e hedhur në lum.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”  nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafin 1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, i akuzuari Librun Ajazaj, akuzohet edhe për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat