Pesë muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë ndaj policit të akuzuar për marrje ryshfeti

Kronikë e zezë

Pesë muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë ndaj policit të akuzuar për marrje ryshfeti

Më: 29 qershor 2020 Në ora: 14:13
Foto Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, e ka shpallur fajtor zyrtarin policor të akuzuar për marrje ryshfeti, Isa Jashari.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, Jashari u dënua me pesë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Ndaj Jasharit, kjo gjykatë ka shqiptuar edhe dënimin me gjobë në lartësi prej 300 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Jashari është obliguar nga gjykata që gjobën e shqiptuar ndaj tij ta paguajë 15 ditë nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi, brenda afatit prej 15 dite nga pranimi i kopjes së tij.

Ndërsa, për arsyet dhe provat që kanë shtyrë këtë trup gjykues të marr aktgjykim dënues, gjykatësja tha se palët do të njoftohen përmes vendimit në formë të shkruar.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 janar 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Isa Jasharit, me pretendimet se i njëjti, më 10 maj 2017, rreth orës 14:30 në lokalin “Eni” në Fushë Kosovë, ka kërkuar dhe pastaj pranuar nga e dëmtuara L.I, shumën prej 110 euro, në emër të kryerjes së një rasti civil në Gjykatën e Skenderajt.

Sipas aktakuzës, këto para të pranuara nga e dëmtuara, i akuzuari i ka marr me qëllim që personi zyrtar në gjykatën në fjalë, të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në një rast ku e dëmtuara ishte e përfshirë si palë në një procedurë, e ku sipas aktakuzës, i akuzuari i kishte premtuar asaj këtë rast do t’ia kryente brenda tre ditësh.

Mirëpo, sipas prokurorisë, i akuzuari i kishte shkëputur pastaj të gjitha kontaktet me të dëmtuarën, derisa e njëjta kishte paraqitur rastin në polici.

Krejt këto veprime, siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Jashari i kishte ndërmarrë nga pozita e zyrtarit policor duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe duke i tejkaluar kompetencat e tij dhe duke mos i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat