Ekzekutimi i Hekuran Billës/ Hetuesit: Ja ku e shiti telefonin e dashura, kishte prova të rëndësishme

Kronikë e zezë

Ekzekutimi i Hekuran Billës/ Hetuesit: Ja ku e shiti telefonin e dashura, kishte prova të rëndësishme

Më: 15 korrik 2020 Në ora: 18:12
Ekzekutimi i Hekuran Billës

Zbulohen detaje të reja dhe prova që rëndojnë pozitën e Adjola Lakrës, vajzës që dyshohet se u përdor si karrem për të nxjerrë në pritë Hekuran Billën, ish-të dënuarin, që u qëllua për vdekje me 19 plumba në zonën e “Komunës së Parisit” mbrëmjen e 11 qershorit.

Sipas prokurorisë, vajza zhduku telefonin nëpërmjet të cilit komunikonte prej muajsh me ish-të dënuarin, me të cilin kishte krijuar një lidhje intime, pasi ishte njohur me të në Instagram. Hetuesit kanë dyshime se në këtë mënyrë ajo tentoi të zhdukte provat…

“Unë kam pasur në përdorim atë ditë një celular të markës ‘iPhone X10’ me ngjyrë gold. Në atë telefon kam pasur të regjistruar dy numra, njërin në Whatsapp dhe tjetrin për të kryer thirrje. Me Hekuran Billën komunikimet i kryeja në rrjetin ëhatsapp, por nuk më kujtohet numri. Aparatin telefonik me të cilin komunikoja me Hekuranin e kam shitur diku rreth 2-3 ditë pas ngjarjes, tek “dollari” në qendër të qytetit. Nuk mbaj mend se në emër të cilit person ka qenë i regjistruar ai numër, por di që e kam përdorur rreth 1 vit e gjysmë. Ndërsa numrin tjetër, e kam pasur të regjistruar në emrin tim”, ka deklaruar vajza.

Por edhe kësaj dëshmie 26-vjeçarja nuk i ka qëndruar deri në fund. Në seancën e dytë të marrjes në pyetje, ajo ka ndryshuar version dhe ka deklaruar se telefonin e kishte thyer nga dëshpërimi, pasi mësoi lajmin e vrasjes së të dashurit të saj…

“Unë ndodhesha në një qendër tregtare bashkë me shoqen time Stela, mbiemrin e së cilës nuk e di, kur Lani më mori në telefon dhe më kërkoi të takoheshim. I thashë po. U ktheva në shtëpi rreth orës 20:30 të mbrëmjes. Hekurani më telefonoi përsëri dhe më tha se do vinte të më merrte të Komuna e Parisit. Mora taksi dhe u nisa. Kur mbërrita te rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, i shkrova Hekuranit, por ai nuk më ktheu përgjigje.

Pa arritur te qendra Kristal, pashë shumë makina policie të cilat lëviznin me shpejtësi dhe pashë lajmet se ishte vrarë një person. Në telefon kam parë automjetin e Lanit dhe aty mësova se ai ishte vrarë. Jam kthyer sërish me të njëjtën taksi dhe kam shkuar ne shtëpinë time. Telefonin me të cilin komunikoja me Lanin e kam thyer copë-copë nga dëshpërimi”, ka qenë versioni i dytë i dëshmisë së saj.

Për hetuesit dëshmitë e menaxheres së një hoteli në Golem, pronë e familjes Lakra, nuk janë të besueshme dhe kontradiktore, kjo vetëm për faktin se ajo pretendon se nuk mban mend as numrat e saj të telefonit, por ka dyshime të forta se tentoi të zhdukte gjurmët duke mos dorëzuar celularin që komunikonte me të dashurin e saj, Hekuran Billën.

I dyshimtë për hetuesit është edhe fakti që ajo ka lejuar ish-të dashurin Sebastjan Mali, i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-të dënuarit, që t’i dërgonte ftesë Hekuran Billës nga Instagrami i saj. Adjola Lakra ka mohuar të ketë nxjerrë në pritë kuksianin Billa, por nuk ka mundur ta binde drejtësinë ta lërë të lirë, pasi edhe gjykata e Apelit e konfirmoi dy ditë më parë masën e arrestit me burg për të. Si i dyshuar kryesor për vrasjen e Hekuran Billës është arrestuar, Viktor Marku.

Krimi dyshohet të ketë ndodhur për motive gjakmarrje, pas 40-vjeçari kishte vrarë në 2006 në Angli, Prelë Markun, vëllain e të arrestuarit Viktor Marku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat