Policët kërkojnë ngritje pagash - Bota Sot
Policët kërkojnë ngritje pagash

Kronikë e zezë

Policët kërkojnë ngritje pagash

Më: 4 gusht 2020 Në ora: 17:46
Foto ilustrim

Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar nga krerët e shtetit që të marrin parasysh kërkesat e policëve për ngritje të pagës, për pagesën e shujtës, pagesën e ndërrimit të natës e pagesën e orëve shtesë, duke paralajmëruar se nuk përjashton asnjë veprim për shprehjen e pakënaqësive.

Përmes një njoftimi për media, SPK-ja ka bërë të ditur se sot u ka dërguar zëvendëskryeministrit Besnik Tahiri, ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, dhe drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, një kërkesë urgjente “që të rishikohen edhe njëherë kërkesa e Policisë, të cilat edhe pse është premtuar se do të realizohen, nuk janë realizuar”.

“Ngritja e pagës për punonjësit e Policisë së Kosovës (të gjitha kategoritë), pagesë për shujtën (ushqimore), pagesa e ndërrimit të natës në mënyrë të dinjitetshme, pako emergjente gjatë kësaj kohe sikurse për punonjësit e shëndetësisë, orët shtesë nuk paguhen me rregull”, janë kërkesa që kjo Sindikatë u ka dërguar sot tre krerëve të institucioneve.

“Sindikata e Policisë së Kosovës që nga fillimi është përkushtuar për mirëqenien e anëtarëve të PK-ës, dhe atë duke kërkuar që të ngrihet mirëqenia dhe dinjiteti i policit. Edhe pse kishte mirëkuptim në disa raste për mos më thënë pak, ne nuk jemi ndal në asnjë kohë. Qeveritë e kaluara kanë bërë diçka, por jo thelbësisht në shumë kërkesa tona sikur ishin; sigurimin shëndetësor dhe aksidental, mosrealizimi i kontratës kolektive që ngërthen në vete edhe shumë benefite për Policinë e Kosovës, pensionimi i parakohshëm etj.”, thuhet në letrën e Sindikatës.

Kjo sindikatë ka kujtuar edhe për rreziqet me të cilat përballen policët, ndërsa ka shtuar se orari i zgjatur për shkak të pandemisë ka shtuar rrezikun për shëndetin e tyre.“Tashmë jeni në dijeni për situatën që pa kalon vendi që nga marsi i këtij viti (2020) pas paraqitjes së Pandemisë, Policia e Kosovës nuk është ndal asnjë minutë deri tani, dhe atë me orar dymbëdhjetë (12) orësh, me rrezik permanent për shëndetin e tyre, gjë të cilën veç tashmë kemi filluar edhe të ndjejmë ne dhe familjet tona. As këtu s’kemi përkrahje edhe përkundër pakos prej 300 eurosh që marrin punonjësit e shëndetësisë ajo nuk është për pjesëtarët e policisë së Kosovës. Kemi kërkuar pagesën e udhëtimit, sepse kemi udhëtuar gjatë, kemi kërkuar pagesën e një shujtë për ushqim dhe përpos premtimeve që do paguajnë akoma pa gjë konkrete”, thuhet në kërkesën e SP.

Në fund të letrës, “kërkohet që kërkesat të rishikohen pasi janë domosdoshme për mirëqenien e familjes, ndërkaq thuhet se pakënaqësitë janë të mëdha te zyrtarët policorë, dhe natyrisht që nuk do përjashtohet asnjë veprim në të ardhmen”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat