Vrasja në Ferizaj, djali dyshohet se i mori jetën të ëmës me mjet të mprehtë

Kronikë e zezë

Vrasja në Ferizaj, djali dyshohet se i mori jetën të ëmës me mjet të mprehtë

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 11:26
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Një grua 83-vjeçare dyshohet të jetë vrarë sot nga djali i saj. Vepra penale, e regjistruar si “vrasje e rendë”, ka ndodhur në rrugën “Ejup Statovci” në Ferizaj ku një 62-vjeçar me mjet të mprehtë dyshohet të ketë vrarë nënën.

I njëjti thuhet të ketë pasur probleme me shëndetin mendor dhe del të jetë emër i njohur për policinë nga veprimet e tij të mëhershme. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë ndërkohë pritet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Agim Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Ferizaj, ka bërë të ditur se informatën për këtë vrasje e kanë pranuar mëngjesin e së hënës në orën 8:20 minuta.

Gashi: Policia ka arrestuar B.Ç. i dyshuar për vrasjen e nënës së tij

“Policia është përgjigje menjëherë në vendin e ngjarjes së bashku me njësinë e emergjencës nga spitali i Ferizajt, ku gjatë hetimeve preliminare është konstatuar se bëhet fjalë për vrasje. Policia i ka ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast dhe pas një kohe të shkurtë ka arrestuar një person të dyshuar i cili dyshohet për këtë vepër. Bëhet fjalë për të dyshuar me iniciale B.Ç., 62-vjeçar ndërsa viktima është nëna e tij M.Ç., 83-vjeçare”, tha ai.

Ai ka thënë se janë gjetur disa prova që lidhen me rastin.

Gashi: I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë

“Personi është intervistuar, janë gjetur disa prova të cilat lidhen me këtë rast dhe me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje policore dërgohet në mbajtje për 48 orë. Gjithashtu gjatë hetimit të rastit, edhe nga dëshmitarët si dhe psikologu i cili ka qenë personi pacient i psikologut, kemi marrë informata se i njëjti vuan edhe nga disa sëmundje mentale”, tha ai.

Media mëson se vrasja është kryer me mjet te mprehtë dhe se mjeku ka konstatuar që 83-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Lidhur me këtë rast, Vjosa Baftiu, zyrtare për media në Prokurorinë e Ferizajt, ka thënë se gjatë ditës pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

Baftiu: I dyshuari për vrasje ka qenë pacient i Qendrës së Shëndetit Mendor në Ferizaj

“Motivet lidhur me rastin ende nuk dihen mirëpo dyshohet se i njëjti ka pasur çrregullime mendore... i dyshuari ka qenë edhe pacient i Qendrës së Shëndetit Mendor në Ferizaj... Prokurori e ka ndaluar të dyshuarin në kohëzgjatje prej 48 orësh ndërsa sot gjatë ditës pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, tha ajo.

62-vjeçari që dyshohet të ketë vrarë nënën e tij del të jetë emër i njohur për Policinë e Kosovës edhe nga veprimet e mëhershme të tij.

Gashi: Policia ka gjetur edhe disa dosje të të dyshuarit

“Gjatë hulumtimit në dosjet e tij janë gjetur edhe disa raste të cilat kanë qenë personi i dyshuar në fjalë, për sjellje arrogante dhe veprimet te tjera” ka treguar Gashi.

Shtëpia ku ka ndodhur ngjarja e rëndë dhe ku ka jetuar 83-vjeçarja me djalin sot ishte e mbyllur dhe banorët përreth thanë se nuk ka anëtarë të tjerë të familjes që jetojnë aty.

Dalin detaje për vrasjen e nënës nga djali në Ferizaj, viktima ishte e kësaj moshe

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka konfirmuar se vrasja e 83-vjeçares në Ferizaj, dyshohet se është kryer nga djali i tij (B. Ç.).

62 vjeçari dyshohet se sot rreth orës 8 të mëngjesit ka vrarë nënën në shtëpinë e tij në rrugën “Ejup Statovci", në Ferizaj, përcjell Bota sot.

Prokuroria ka njoftuar se ai është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot, në Ferizaj, një person dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00, në mëngjes, ku i dyshuari B. Ç., rreth 62 vjeç, dyshohet se në shtëpinë e tij në rrugën “Ejup Statovci", në Ferizaj, ka privuar nga jeta nënën e tij, tani të ndjerën M. Ç, rreth moshës 83 vjecare.

Në këtë mënyrë dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I dyshuari B. Ç, me vendim të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor ndaj tij do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale.​

***

Policia e Kosovës konfirmoi se sot rreth orës 08:20, ka marrë informatën për një rast vrasje e rëndë në Ferizaj.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore si dhe ekipi mjekësor, ku pas ekzaminimit nga ana e mjekut është konfirmuar se viktima e rastit kishte ndërruar jetë.

Viktima është identifikuar me inicialet M.Ç., shtetase e Kosovës e moshës 83-vjeçare.

Pas hetimeve fillestare, hetuesit policorë kanë arrestuar një person të dyshuar lidhur me këtë rast ku i njëjti është duke u intervistuar.

Informacione jo zyrtare thonë se viktimës dyshohet se ia mori jetën djali i saj i cili është me probleme mendore.

***

Një vrasje po dyshohet se ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Rrustem Statovci” në Ferizaj.

Rastin e ka konfirmuar prokurori Veton Shabani, i cili ka thënë se sipas dyshimeve të para, po dyshohet se ka ndodhur një vrasje brenda familjes.

“Ka dyshime për vrasje. Mjekësia Ligjore e Ka marrë trupin e pajetë të viktimës, obduksioni do ta sqarojë situatën më detajisht. Por dyshimet e para janë se kemi të bëjmë me vrasje”, ka thënë Shabani.

Shabani ka bërë të ditur se viktima ka jetuar me djalin e saj, i cili sipas informatava të para nga vendi i ngjarjes, është i dyshuar kryesor.

“E ndjera ka jetuar me një djalë të saj, që sipas infiormatave të para, ka të meta mendore.  Është dërguar për ekzaminim te psikiatri. I dyshuar për momentin është djali, policia e ka marrë dhe është duke u trajtuar nga psikiatri”, ka deklaruar Shabani.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.

“Policia është në vendin e ngjarjes, jemi duke e hetuar rastin, pasi të kryhen të gjitha hetimet do të dalim me një njoftim. Për momentin rasti është “hetim i vdekjes””, ka thënë Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat