Detaje se si nisi konflikti mes fëmijëve të familjes Syla e Demiri në Drenas dhe përfundoi me vrasjen e ish-ushtarit të UÇK-së

Kronikë e zezë

Detaje se si nisi konflikti mes fëmijëve të familjes Syla e Demiri në Drenas dhe përfundoi me vrasjen e ish-ushtarit të UÇK-së

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 12:35
Foto ilustrim

Rreth dy javë më parë vendi është tronditur nga vrasja e ish-ushtarit të UÇK-së, Qamil Demiri.

Ai u qëllua me armë zjarri në afërsi të shtëpisë së tij në Nekoc të Drenasit dhe si pasojë e plagëve të marra me të arritur në QKUK ka ndërruar jetë. Në vendin ku ndodhi krimi mbetën të lënduar edhe disa të tjerë, pasi fillimisht pjesëtarët e familjes Syla dhe Demiri u përfshinë në një rrahje. Përveç armës së zjarrit aty u përdorë edhe mjeti i prehtë skalperi.

Por si nisi konflikti dhe cili dyshohet se është motivi i ngjarjes?

Siç përshkruhet në kallëzimin penal, ekziston dyshimi i bazuar se konflikti dyshohet se nisi si pasojë e një mosmarrëveshje të çastit në komunikacion.

“Më 22 gusht të këtij viti në rrugën “Adem Isufi” në fshatin Nekoc të Drenasit derisa Mërgim Demiri (djali i të ndjerit Qamil Demiri), ishte duke qarkulluar me kamion (të mbushur me dhe), nga prapa ka qenë vetura e tipit Golf II, brenda së cilës kanë qenë Altion Syla dhe A.Syla (i mitur), të cilët e kanë tejkaluar kamionin dhe me veturën e tyre e kanë bllokuar rrugën me arsyetimin se drejtuesi i kamionit nuk ua ka liruar rrugën që të kalojnë. Më pas të dy kanë dalë nga vetura dhe kanë shkuar në drejtim të vozitësit të kamionit dhe fillojnë ta godasin duke e shtrirë në tokë Mërgimin, pas pak të njëjtit largohen nga vendi i ngjarjes dhe më vonë kthehen sërish me dy vetura. Në njërën veturë ishte A.Syla dhe Altion Syla, ndërsa në veturën tjetër Leutrim Syla. Në vendin e ngjarjes takohen me Mërgim Demirin, Malor Demirin, Qamil Demirin dhe Halil Demirin. Me ç’rast të dyshuarit e familjes Syla fillojnë t’i sulmojnë viktimat e familjes Demiri me mjete të forta, si skalper etj”, thuhet në kallëzimin penal .

“Ndërsa, i dyshuari tjetër Leutrim Syla e përdorë edhe armën e zjarrit të tipit AK-47 dhe si pasojë e të shtënave e godet Qamil Demirin në kofshën e këmbës së djathtë dhe në këmbën e majtë, ndërsa Halil Demirin (babain e Qamilit), në gishtin e këmbës. Po ashtu nga mjetet e forta pësojnë lëndime trupore Halil dhe Mërgim Demiri. Me të arritur në QKUK, Qamil Demiri, si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit ndërron jetë. Ndërsa viktimat e tjera pas trajtimit mjekësor janë liruar për në shtëpi”, thuhet tutje.

Pas incidentit, të dyshuarit largohen nga vendi i ngjarjes dhe qëndrojnë në arrati, deri më 26.08.2020.

Si u informua policia dhe çfarë panë në vendin e ngjarjes?

Policia ishte informuar për të shtënat me armë zjarri dhe në vendin e ngjarjes kishin takuar viktimat Mërgim e Halil Demirin, të cilët kanë deklaruar para policëve se janë sulmuar fizikisht nga djemtë e Shaban Sylës ( i dënuar në rastin “Bllaca 2”).

Policia e Kosovës menjëherë kishte bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, bastisjen e shtëpive, me ç’rast iu kanë lënë ftesat të dyshuarve për t’u paraqitur në polici dhe të njëjtit janë shpallur në kërkim, po ashtu në koordinim me prokurorin janë vendosur në STOP listë.

Një dëshmitar okular ka deklaruar se prindërve të të ndjerit, nënës dhe babait të Qamilit, iu kishte rënë të fikët në vendin e ngjarjes.

Pas gjashtë ditësh, i dyshuari kryesor Leutrim Syla dhe dy të dyshuarit e tjerë dorëzohen në polici, ndërsa në arrati mbetet Ilaz Syla.

Leutrim Syla ka treguar se armën e zjarrit e ka fshehur në afërsi të shtëpisë në ara, ndërsa në veturën e tipit Volvo, e cila dyshohet se është përdorur për arratisje nga vendi i ngjarjes, në brendësi të saj janë vërejtur edhe njolla gjaku dhe me qëllim të ekzaminimit e njëjta është sekuestruar.

Ai është intervistuar në prezencën e mbrojtësit të tij, i cili nuk është deklaruar për rastin duke shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore të mbrohet në heshtje.

Ndërsa, viktimat Mërgim e Halil Demiri janë intervistuar në SHSKUK, pasi ishin duke pranuar trajtim mjekësor.

Mërgim Demiri ka deklaruar se kur të dyshuarit ia kanë hapur derën e kamionit, është mbrojtur duke u kapur për timonit, por nuk ka arritë të mbrohet.

Ai ka thënë se të dyshuarit e kanë shtrirë në tokë dhe e kanë rrahur me mjete të forta dhe me skalper. Pas sulmit, ai ka deklaruar se e ka njoftuar Qamilin prindin e tij me telefon, më pas janë sulmuar sërish ku edhe Qamili është qëlluar për vdekje me armë zjarri.

Të dyshuarve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muji.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat