Banda e Lushnjes, krahu i djathtë i Aldo Bares kërkon uljen e dënimit: Të më llogaritet paraburgimi në Itali

Kronikë e zezë

Banda e Lushnjes, krahu i djathtë i Aldo Bares kërkon uljen e dënimit: Të më llogaritet paraburgimi në Itali

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 20:32
Enver Dondollaku

Numri dy i bandës së Lushnjes, Enver Dondollaku, i cili ndodhet pas hekurave pasi akuzohet si autor i disa krimeve, kërkon të ulë vitet e vuajtjes së dënimit në burgun e Peqinit.

Burime për Ora News bëjnë me dije se ai ka depozituar një kërkesë në Gjykatën e Elbasanit,  ku kërkon që drejtësia shqiptare t’i përllogarisë në dënim ditët e paraburgimit që ka vuajtur në Itali.

Mësohet se Gjykata ka kërkuar informacion zyrtar nga drejtësia italiane, për të mësuar saktësisht se sa është periudha kohore e qëndrimit në paraburgim në Itali e Enver Dondollakut.

Dondollaku, i njohur ndryshe si krahu i djathtë i Aldo Bares, u ekstradua në Shqipëri në dhjetor të vitit 2013.

Dondollaku, u arrestua në maj të vitit 2006 në qytetin e Padovës në Itali, ndërsa mbante me vete një pasaportë çeke me emrin Denis Chochlanov, por punonjësit e policisë e zbuluan gjatë një kontrolli në stacionin e trenit dhe verifikimit të gjurmëve të gishtave. Pas gjykimit për falsifikim e trafik droge, dënim i vuajtur në Itali, është vendosur edhe ekstradimi i tij në Shqipëri.

Dondollaku akuzohet për vrasjen e inspektorit të policies, Kleanti Bano, vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-shefit të komisariatit të policisë Lushnjë, komisar Sinan Meta, vrasjen e Nimet Zeneli, Masar Aliu, Idajet Beqiri dhe Xhevdet Demiri, vendosjen e eksplozivit në stadiumin e qytetit të Lushnjës, marrje peng dhe vënie gjobash, trafik ndërkombëtar droge dhe prostitucioni.

Për viktimat e mësipërme ka pasur akuzën vrasje me paramendim, ndërsa është gjykuar edhe për tentativën e vrasjes së Gramoz Selmanit. Gjithashtu është akuzuar për shkatërrim të pronës, armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë dhe pjesëmarrja në organizata kriminale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat