Burg dhe gjobë ndaj 10 ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës

Kronikë e zezë

Burg dhe gjobë ndaj 10 ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës

Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 19:16
Foto ilustrim

Gjykata Themelore e Prishtinës, të martën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj, Drita Rukiqi dhe Qemajl Pozhegu.

Sipas këtij aktgjykimi, të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare”, i akuzuari Haliti është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) viteve, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe atë, nga 3 prill 2014 deri më 27 dhjetor 2014.

Për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”, i njëjti  është dënuar me gjobë në shumë prej 1,000 euro.

Për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, i akuzuari Canolli është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ai është dënuar me gjobë në shumë prej 1,000 euro.

Të akuzuarit Syla, Abdullahu dhe Ibishi janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajve, i cili dënim, sipas gjykatësit Kalludra, me pëlqimin e tyre do t’iu shndërrohet në dënim me gjobë në shumë prej 12,000 euro. Të akuzuarës Syla, po ashtu do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Me gjashtë (6) muaj burgim janë dënuar edhe të akuzuarit Ajeti, Shala dhe Rukiqi, me pëlqimin e të cilëve, ky dënim do t’iu zëvendësohet me gjobë në shumë prej 10,000 euro.

Po ashtu, me gjashtë (6) muaj burgim janë dënuar edhe të akuzuarit Muhadri dhe Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’iu zëvendësohet me gjobë në shumë prej 8,000 euro.

Kurse, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, i akuzuari Pozhegu është dënuar me 18,000 euro gjobë.

Në rast të mos pagesës së gjobës, gjykatësi Kalludra tha se të akuzuarve do t’u llogaritet nga 20 euro për një ditë burgimi.

Po ashtu, të akuzuarit janë obliguar të paguajnë shpenzimet e procedurës penale si dhe shumën prej 300 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Tutje, të akuzuarve Haliti, Canolli dhe Shala u janë konfiskuar pasuritë e fituara me kryerjen e veprave penale.

Ndryshe, Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, akuzohen se në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkohen edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohet edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 prill 2020, ish-shefin e sektorit të inspektoratit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Ismet Halitin, e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Me aktgjykimin e shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, Ismet Halitit i ishte konfiskuar edhe vetura dhe para në shumën prej 11 mijë eurosh si dhe pistoleta.

Skënder Canolli ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Skënder Canollit po ashtu i ishte konfiskuar makina e tipit “Passat” dhe 10 mijë franga zvicerane.

Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me 2 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu me 2  vjet burgim, Blerim Ibishi me 2 vjet, Mergim Shala, me 2 vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim, dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.

Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve ishin ankuar në Apel, duke atakuar kështu aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.

Duke aprovuar ankesat e mbrojtësve, në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Të njëjtit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat