​Lufta kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, Policia me aksion në rajonin e Prishtinës, dalin detaje të reja

Kronikë e zezë

​Lufta kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, Policia me aksion në rajonin e Prishtinës, dalin detaje të reja

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 19:37
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar 22:54) - Arrestohen gjashtë persona për shpëlarje parash, falsifikim dhe armëmbajtje pa leje

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, përkatësisht Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe njësitet tjera relevante, kanë realizuar një aksion në disa lokacione të ndryshme në qytetet Ferizaj, Fushë Kosovë, Viti, Kaçanik, si dhe në Prishtinë.

Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë arrestuar gjashtë (6) persona, me inicialet A.Q., Sh.R., A.O., F.L., H.L dhe L.S., të dyshuar se kanë kryer veprat penale “Shpëlarje parash”, “Falsifikim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Gjithashtu, nga të dyshuarit në vendin e ngjarjes janë sekuestruar të holla në vlerë prej njëqindenjëzetepesë mijë (125.000) euro të dyshuara, si dhe pesë (5) vetura të modeleve të ndryshme.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje, si dhe brenda afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesa për caktimin e paraburgimit

***

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke zhvilluar një aksion në Prishtinë, nga ku janë arrestuar gjashtë persona nga rrethi i Lipjanit dhe Kaçanikut.

Aksioni i Krimeve Ekonomike ka në cak 500,000 euro të ngjyrosura për të cilat policia ishte vënë në dijeni ditëve të fundit përmes informatorit të tyre.

Dyshohet se në grupin që synonte të shpërlaj 120,000 eurot e ngjyrosura janë edhe dy persona që kanë ardhur nga Gjermania.

Aksioni është duke vazhduar edhe më tutje me bastisje në disa lokacione, në kërkim të shumës tjetër prej 380,000 euro, i asistuar edhe nga Njësia Speciale

***

Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në orët e mbrëmjes kanë nisur një operacion policor në rajonin e Prishtinës.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë rajonale për Prishtinë Bajram Krasniqi.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë duke e realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës. Pas përfundimit të operacionit policor do të ketë informata shtesë rreth asaj se kush ka qenë cak i operacionit”, tha Krasniqi.

Krasniqi nuk ka konfirmuar nëse gjatë këtij operacioni policor ka persona të arrestuar, teksa ka shtuar se aksioni është ende duke u zhvilluar.

***

Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në Prishtinë.

Si rezultat janë arrestuar disa persona në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.

Media ka siguruar pamje të arrestimit.

Por nga policia ende nuk ka informacione rreth këtij aksioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat