Një muaj paraburgim të dyshuarit për rrezikim të trafikut publik në Prizren

Kronikë e zezë

Një muaj paraburgim të dyshuarit për rrezikim të trafikut publik në Prizren

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 16:02
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditë, ndaj të pandehurit G.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga kjo Gjykatë.

“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar: më datë 01 dhjetor, në orët e mbrëmjes në Prizren duke drejtuar automjetin, nga pakujdesia e në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Publik, ka rrezikuar pjesëmarrësit në komunikacion dhe ka vu në rrezik jetën e njerëzve”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se i pandehuri duke mos ja përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve dhe rrethanave në rrugë, i njëjti nuk i jep përparësi kalimi këmbësorëve që ishin duke kaluar në vendkalimin për këmbësor, ku me pjesën e përparme të anës së djathtë të automjetit e godet të dëmtuarin M.Gj., duke e hedhur në një distancë dhe gjatë ndaljes së automjetit i kalon sipër të dëmtuarit me rrotën e pasme të anës së djathtë, me ç’ rast i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore me rrezik për jetën, me plagë të rënda në pjesë vitale të trupit, të cilat lëndime janë të konstatuara në raportin mjekësor.

“Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale. Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka vlerësuar se me qëndrimin në liri i pandehuri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga organet e ndjekjes dhe përgjegjësia penale, gjithashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, ku i pandehuri në zonë ku janë të shënjuar vendkalimet për këmbësorë drejton veturën me shpejtësi dhe rrezikon jetën e të dëmtuarit, arsyetojnë vendimin që ndaj të pandehurit të caktohet masa e paraburgimit”, thuhet në komunikatë.

Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale me qëllim të parandalimit të ikjes së të pandehurit, zhvillimit normal të hetimeve dhe pengimin e përsëritjes të ndonjë vepre tjetër penale.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat