Rrëfimi i çiftit nga Mitrovica që u mashtruan nga 30-vjeçari i cili tha se do t’ua dërgojë vajzën për shërim në Francë: Gati 7 mijë euro na i ka marrë

Kronikë e zezë

Rrëfimi i çiftit nga Mitrovica që u mashtruan nga 30-vjeçari i cili tha se do t’ua dërgojë vajzën për shërim në Francë: Gati 7 mijë euro na i ka marrë

Më: 19 janar 2022 Në ora: 12:45
Foto ilustrim

Për shërimin e vajzës ishin në gjendje të bënin gjithçka. Dhimbja që po përjetonin vetëm sa rritej, deri në ditën kur dikush u bë “hero” i cili u premtoi se do t’ua dërgonte vajzën për shërim në Francë dhe i bëri qyl. Bëhet fjalë për një çift nga Mitrovica, të cilët u mashtruan duke ia dhënë rreth 7 mijë euro një personit, në këmbim të rregullimit të dokumentacionit për shërim jashtë vendit, të vajzës së tyre. Në një rrëfim ekskluziv për sinjali, ky çift ka treguar se si dyshohet se u mashtruan nga Edon Bytyqi, tashmë i arrestuar, i cili u premtoi ndihmë.

Edon Bytyqi dhe Arsim Lumi u arrestuan dje në Fushë Kosovë, si të dyshuar për këtë rast të mashtrimit.

Si nisi gjithë ngjarja dhe si u bë Edon Bytyqi “hero” i kësaj familje?

Numri i kryefamiljarit G.I, ishte shpërndarë në rrethinë, pasi ai kërkonte ndihmë për vajzën e tij, që vuan nga një sëmundje e rëndë. Një ditë vikendi, më 13 nëntor 2021, ai mori një thirrje nga dikush që u premtoi shërimin e vajzës e një jetë më të mirë, jashtë vendit, në Francë.

Ishte i dyshuari Edon Bytyqi që telefonoi babain e katër fëmijëve, për t’i dhënë shpresë për vajzën e tij. Burri nga Mitrovica ka treguar se si u takua me Edonin për herë të parë dhe po atë ditë i dha para.

“Ka qenë e shtunë, më 13 nëntor, na ka thirrë në telefon, unë mendova që sikur qytetarët tjerë që po na thirrin me na ndihmu, por s’kishte qenë ashtu. Pasi që folëm, tani më ka shkru. Më tha hajde në Vushtrri, duhesh me pagu 1200 euro sigurimin ti edhe mo kurgjo jo. Unë i besova, se njeri kur është në hall edhe beson gjithçka. I thash po bisedoj nihere me familjen,  edhe u takova me to, ia jepa 1200 euro të shtunën”, tha ai.

Rreth 7 mijë euro, babai i vajzës thotë se ia dha Edon Bytyqit për disa ditë, pasi sipas tij ai gjatë asaj kohe gjente justifikime për të kërkuar para, raporton Sinjali.

“Mas tri dite që folëm, m’tha t’u ka kry viza, edhe duhet me i jep ka 235 euro për person, për shtatë persona, për me shku në Francë. Po se kryjti me qaq, tani m’tha duhet me pagu ekstra aeroplanin me mjekë edhe tani mi lypi 3500 euro. Për rreth 1 javë ia kena jep krejt paret”, shtoi ai tutje.

Kryefamiljari ka treguar se me Edon Bytyqin 1 herë është takuar në Vushtrri, ndërsa herave të tjera në Mitrovicë, ku një herë e kishte pritur edhe në shtëpinë e tyre.

Ai dhe gruaja e tij thonë se ishin në gjendje të bënin gjithçka për vajzën e tyre.

“Na veç me Edonin kena pasë marrëveshje, me atë tjetrin(Arsim Lumin)jo. Edoni edhe në shpinë tonë u ardhë, oh bre çka na ka premtu. Na ka thonë qe osht i Suharekës po osht në Francë, amo letrat i ndreq në Serbi, na besojshim. Po kur je miftiaq, bon gjithçka për fmi ton. Na i ka marrë dokumentat e çikës, thojke me i përtkhy në Francë”, thonë ata, duke shtuar se “jena mashtru keq”.

Nëna e vajzës thotë se kur Edon Bytyqi kishte shkuar te shtëpia e tyre kishte derdhur lot, se gjoja nuk mund ta shihte vajzën në atë gjendje.

“Erdh bre në shpi, e përqafke çikën e  i thojke ka me të nimu axhi ty. Na ka thonë vi apet në shpi, po mo s’ka ardhë. U bojke kishe po kaj në ballon, po ata lot krokodili i kish pasë”, thotë ajo e mllefosur.

Sipas tyre Edon Bytyqi u kishte premtuar se do të shkonin në Francë, se vizat ishin gati, por herë pas here u kërkonte para, se kinse jo të gjitha mund t’i kryente vetë. Kjo dëshmohet edhe në bisedat që viktima kishte pasur me të.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat