Arrestohen dy persona për bixhoz në Vushtrri e Skenderaj

Kronikë e zezë

Arrestohen dy persona për bixhoz në Vushtrri e Skenderaj

Më: 14 maj 2022 Në ora: 10:47
Ilustrim

Policia e Kosovës ka realizuar kontroll në Vushtrri e Skenderaj për organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Përmes një njoftimi për media nga PK-ja kanë thënë se kontrollet janë realizuar të premten, ku si pasojë e kësaj janë arrestuar dy persona.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, në mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSh) dhe njësive policore të Stacionit Policor Vushtrri, nën dyshime të arsyeshme për veprimtari të kundërligjshme në orët e mbrëmjes të datës 13.05.2021, kanë realizuar një kontroll në një lokal në Vushtrri. Gjithashtu një kontroll tjetër për këtë veprimtari të kundërligjshme është realizuar edhe në Skenderaj nga ana e Njësisë së Hetimeve të Mitrovicës dhe asaj të Skenderajt në mbështetje të NJRSH-së. Për realizimin e kontrolleve paraprakisht është siguruar urdhër kontrolli nga Gjykata Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit, në lokalin në Vushtrri janë gjetur gjashtë(6) aparate të lojërave të fatit, dy (2) monitorë, dhe një shtëpizë kompjuteri. Në Skenderaj janë gjetur katër (4) aparate të lojërave të fatit, një(1) lap-top, një(1) hard disk, një(1) monitor, tre (3) UPS dhe një TV. Të gjitha gjësendet e gjetura, janë konfiskuar dhe do të procedohen si prova materiale në procedurën e mëtejme.

Të arrestuarit janë një 32-vjeçar dhe një 33-vjeçar.

“Për veprimtarinë e dyshuar dhe pajisjet e gjetura, hetuesit në Vushtrri kanë arrestuar personin e dyshuar A.Rr. 32 vjeçar ndërsa në Skenderaj është arrestuar personi i dyshuar F.H., 33 vjeçar, të dy shtetas të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në njoftimin e PK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat