Në Tiranë, polici vret kolegun brenda stacionit policor

Kronikë e zezë

Në Tiranë, polici vret kolegun brenda stacionit policor

Më: 23 maj 2022 Në ora: 23:04 Përditësuar në ora: 00:52 më 24.05.2022

Vrasja në Komisariat/ Autori vetëm 18 muaj në polici, viktima “veteran”! Si nisi konflikti

Ludian Zaimi, efektivi i policisë që vrau me armë zjarri kolegun e tij mbrëmjen e sotme në ambientet e Komisariatit numër 3 në Tiranë kishte vetëm një vit e gjysmë që ishte rreshtuar krah uniformave blu.

Ndërkohë nga ana tjetër Panorama.al mëson se viktima Çaush Saliasi, kishte mbi 20 vite në polici.

Mësohet se para shkrepjes së armës ka ndodhur një konflikt banal mes autorit e viktimës.

Pas sherrit, autori Zaimi i ka shkrepur armën në drejtim të kolegut të tij Çaush Saliasi i cili ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

Plagosja e 60-vjeçarit në Kombinat, autori efektiv i FNSH-së! Në momentin e ngjarjes ishte në gjendje të dehur

Murteza Lika, 60-vjeçari që u plagos mbrëmjen e sotme në Kombinat është qëlluar me armë zjarri nga një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Mësohet se efektivi i policisë me iniciale L. Gj. është shoqëruar nga kolegët e tij, ndërsa në momentin e ngjarjes ka qenë në gjendje të dehur.

Dyshohet se 60-vjeçari ka qenë i ulur në një kafene në anë të rrugës dhe më pas është parë nga banorët e zonës duke ecur zvarrë për shkak të plagës që ka marrë në këmbë.

Mbrëmjen e sotme një tjetër ngjarje e rëndë me protagonistë dy efektivë policie ndodhi në ambientet e Komisariatit nr. 3 në Tiranë.

Polici Ludian Zaimi qëlloi me armë zjarri kolegun e tij Çaush Saliasi me armën e shërbimit ndërkohë që ky i fundit ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra.

Njoftimi i policisë

Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë pak më parë, i cili bën fjalë se në Kombinat është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi M. L., 60 vjeç, ju sqarojmë se:

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 është identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e komisariatit, autori i kësaj ngjarje, shtetasi L. Gj., efektiv i FNSH-së, i cili gjatë kryerjes së krimit ka qenë në gjendje të dehur.

Grupi hetimor i krijuar nga Agjensia e Mbiikëqyrjes Policore (AMP) nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Tronditet Policia e Tiranës, efektivi qëllon për vdekje kolegun brenda komisariatit. Motivet dhe si ndodhi ngjarja

Tirana është tronditur sot nga një krim i rëndë. Një efektiv policie ka qëlluar plot 6 herë në drejtim të kolegut të tij, dhe për pasojë ky i fundit ndërroi jetë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në ambientet e komisariatit nr.3 në Rrugën Mine Peza në Tiranë.

Ludian Zaimi, qëlloi për vdekje kolegun e tij Çaush Saliasi, ndërkohë që gjithçka duket se ka pasur si zanafillë një sherr të momentit, që çoi në përgjakjen e komisaratiit.

Gazetari Igli Çelmeta, i cili shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes raportoi për BalkanWeb se Zaimi, fill pasi plagosi kolegun, qëndroi në komisariat, ndërsa tashmë është ndaluar nga efektivët e policisë.

Ndonëse efektivit veteran, që kishte 20 vite në polici, iu dha ndihma e parë, ai nuk mundi të mbijetonte, duke ndërruar jetë në spital.

Efektivi i arrestuar tashmë, Ludian Zaimi kishte vetëm një vit e gjysmë që shërbente në radhët e efektivëve blu.

Pas ngjarjes reagoi edhe Policia e Shtetit, e cila bëri të ditur për mediat se “Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme. Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike. Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media”.

Pas ngjarjes në komisariatin nr. 3 në Tiranë ka mbërritur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i cili është njohur nga afër prej vartësve të tij për rrethanat se si ka ndodhur krimi. Lidhur me ngjarjen ka reaguar në mbrëmje edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. “Bresheri revolveri ne narkokomisariat! Polici i plagosur vdes ne spital! Shpreh ngushëllime familjes se viktimes dhe denoj gjendjen e rende ne narkokomesariate e narkoshtetit”, shkruante ndër të tjera Berisha.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat