Policia identifikon dy vetura të vjedhura para 12 vjetësh

Kronikë e zezë

Policia identifikon dy vetura të vjedhura para 12 vjetësh

Më: 24 maj 2022 Në ora: 21:04
Foto ilustrim

Policia Kufitare e Kosovës ka identifikuar dy automjete të tipit BMW X6, të cilat ishin raportuar si të vjedhura në vitin 2010 në Itali.

Më 22 maj gjatë kontrollit në pikën kufitare Vërmicë, policia ka kontrolluar veturën BMW X6, ngjyrë e zezë, me targa të Shqipërisë.

Pas dyshimeve të ngritura se në numrin identifikues të automjetit mund të ketë ndërhyrje mekanike, në bashkëpunim me Policinë e FRONTEX-it janë kryer verifikime dhe hetim më i detajuar lidhur me automjetin në fjalë dhe prejardhjen e tij.

Bazuar në të gjeturat dhe bashkëpunimin PK-FRONTEX, ka rezultuar se ky automjet rezulton të jetë vjedhur në Itali në vitin 2010 dhe më pastaj i falsifikuar dhe i regjistruar në Shqipëri. Gjithashtu merret vesh se një automjet i njëjtë me të njëjtin numër identifikues është në qarkullim në Itali.

Ndërsa në rastin e dytë, sot, në hyrje për në Kosovë, zyrtarët policorë kufitarë kanë kontrolluar veturën tjetër BMW X6, ngjyrë e bardhë, me targa të Shqipërisë.

Pas verifikimeve të nevojshme në bashkëpunim me autoritetet dhe FRONTEX-in, është konstatuar se edhe ky automjet raportohet të jetë vjedhur në Itali në vitin 2010, përderisa merret vesh se një automjet i njëjtë me të njëjtin numër identifikues është në qarkullim në shtetin e Lituanisë.

Lidhur me këtë çështje është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit janë iniciuar rastet ”vjedhje dhe falsifikim i automjetit” dhe rastet adresohen te njësia kompetente për hetime të mëtejme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat