Kanosi të dashurën dhe mbajti armë pa leje, gjakovari dënohet me një vit burgim me kusht

Kronikë e zezë

Kanosi të dashurën dhe mbajti armë pa leje, gjakovari dënohet me një vit burgim me kusht

Më: 2 korrik 2022 Në ora: 12:47
Ilustrim

I akuzuari D.K, është dënuar me një vit burgim me kusht pasi e ka pranuar fajësinë se më 19 dhjetor 2021, e ka kanosur përmes rrjeteve sociale të dashurën e tij, si dhe se ka mbajtur armë pa leje.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Ilir Rashkaj, fillimisht i akuzuari për veprën penale të kanosjes është dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe për armëmbajtje pa leje me 6 muaj burgim me kusht.

Më pas, ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi unik me burgim me kusht në kohëzgjatje prej një viti.

Dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej dy vitesh.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, thuhet se i akuzuari D.K. më 19 dhjetor 2021, në Gjakovë, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit seriozisht e kanos të dëmtuarën Q.B.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që pasi ai dhe e dëmtuara janë në lidhje dashurie, dhe që nga qershori i vitit të kaluar bashkëjetojnë, ndërsa në datën e lartcekur në mes tyre kishte ndodhur një mosmarrëveshje, e ku i akuzuari e kishte telefonuar në rrjete sociale me kamerë duke e kërcënuar me armë në dorë dhe me fjalët “Me qet allti ka me të vra”, më pas e kishte thirrë përsëri dhe i kishte treguar një thikë duke i thënë “ Me qet thikë kam me të pre dhe se nuk guxon me qenë me një person tjetër se edhe ato edhe ty ju vras”, me çka, me këto veprime tek e akuzuara ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Me këto veprime, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181 paragrafi 2 të Kodit Penal.

I njëjti po akuzohet se ka mbajtur edhe armë pa leje, përkatësisht armën me gaz, të cilën e kishte hedhur në mbeturina e dëmtuara ditën kritike.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat