Policia zbarkon në Sach Pizza në Prishtinë, arreston punëtorin që u kap me armë zjarri

Kronikë e zezë

Policia zbarkon në Sach Pizza në Prishtinë, arreston punëtorin që u kap me armë zjarri

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 11:33
Sach Pizza

Posedimi i armëve ilegale nga të rinjtë është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po cenon me të madhe sigurinë publike. Kjo pasi pothuajse çdo ditë Policia has në persona të armatosur të cilët rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Për një rast të tillë, Policia ka kryer sot bastisje në një shtëpi në rrugën “Naim Frashëri” në Prishtinë, nën dyshimet se një 20-vjeçar posedon armë pa autorizim.

I dyshuari nuk u gjet aty, por njësia policore i shkoi në vendin e punës, ku edhe e arrestoi.

Burimet nga Prokuroria për Sinjalin kanë bërë me dije se Policia ka zbarkuar në “Sach Pizza”, në rrugën “Luan Haradinaj” ku i dyshuari punon, me ç’rast është kapur me një armë zjarri.

Përveç armës, gjatë kontrollit policor, te i dyshuari janë gjetur edhe disa fishekë, që u konfiskuan nga zyrtarët policorë, ndërsa i riu u shoqërua në stacion policor. Ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e të njëjtit, Sinjali mëson se janë konfiskuar fishekë, thikë, e shufër metalike.

Pas intervistimit nga hetusit policorë, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për armëmbajtje pa leje dhe dorëzimi i kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Kujtojmë se mbajtja e armëve pa leje sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat