Dhuna në familja po vazhdon të mbetet një ndër dukuritë më shqetësuese në vend, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët e tjerë të familjes. Ato madje nuk ‘kursehen’ nga sulmet as gjatë muajve të shtatzënisë, duke qenë kështu në rrezik të madh.
Kështu ka ndodhur edhe me një 25-vjeçare shtatzënë në Fushë Kosovë, ndaj të cilës dyshohet se është ushtruar dhunë nga bashkëshorti i saj.
Burimet kanë bërë me dije se viktima, e cila është e martuar që nga viti i kaluar me të dyshuarin ka kërkuar ndihmën e Policisë gjatë ditës së djeshme, me ç’rast ka rrëfyer se si kishte ndodhur rasti në shtëpinë e tyre. Si pasojë e dhunës që ka përjetuar, ajo ka marrë edhe ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë 232-vjeçari i dyshuar është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë lidhur me konfliktet që kanë pasur kohën e fundit me gruan e tij, duke e mohuar se e ka sulmuar fizikisht.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.