I riu në Prishtinë i del në pritë ish-partneres, e kërcënon me thikë

Kronikë e zezë

I riu në Prishtinë i del në pritë ish-partneres, e kërcënon me thikë

Më: 2 qershor 2023 Në ora: 16:57
Ilustrim

Problemet mes çifteve shpesh herë nuk marrin fund me ndarje. Personat e pakënaqur me vendimin për t’i ndarë rrugët, në shumë raste u shkaktojnë telashe partnerëve të tyre, duke i kërcënuar e shantazhuar në forma të ndryshme.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit’ në Prishtinë, ku një person dyshohet ta ketë kërcënuar ish partneren e tij me të cilën ka bashkëjetuar për dy vite.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur derisa viktima ishte në veturë me një person e që më pas i dyshuari i kishte dalë përpara duke ia bllokuar rrugën për qarkullim.

Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari e ka kërcënuar me fjalë dhe gjatë gjithë kohës po mbante një thikë në dorë.

Përballë kësaj situate, 24-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici dhe të njëjtit kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin.

Me urdhër të prokurorit, 29-vjeçari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat