Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve.
Kështu ka ndodhur edhe sot në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë, ku një person dyshohet se kishte gjuajtur me armë në një aheng familjar.
Burimet e medias brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është gjetur një armë e cila është konfiskuar më pas.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Kujtojmë se në vazhdimësi është bërë thirrje që të festohet pa armë, por siç duket këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër.