Kryekomisari “gjobëvënës” i Trafiqeve në Durrës që u kap sot, më 2021-n u procedua për “Kultivim të bimëve narkotike” në Mallakastër

Kronikë e zezë

Kryekomisari “gjobëvënës” i Trafiqeve në Durrës që u kap sot, më 2021-n u procedua për “Kultivim të bimëve narkotike” në Mallakastër

Më: 15 gusht 2024 Në ora: 23:14
Ilustrim

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vënë në pranga shefin e Sektori kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, Gazmir Preçi, i cili akuzohet se ka shantazhuar një biznesmen në Durrës.

Por duket se skandali thellohet edhe më shumë pasi Preçi është nnjë figurë e njohur e abuzimit me uniformën e shtetit. Kjo pasi tre vite më parë ai do të ishte pjesë e zinxhirit komandues të polisicë Mallakastër që do të arrestohej nga ish-SHÇBA, sot AMP me akuzën e “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimit të detyrës.

Por ajo që mbetet e pakuptueshme dhe që kërkon shpjegim nga drejtuesi i Policisë së Shtetit mënyra se si Gazmir Preçi nga i akuzuar për kultim droge u bë kreu sektorit të Trafiqeve në Durrës.

NGJARJA E 2021-t

Më 29 dhjetor të vitit 2021 Prokuroria e Fierit dhe ish-Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit do të arrestonte 5 efektivë policie në Fier me akuzat e shpërdorimit të detyrës, si dhe të lejimit të kultivimit të lëndëve narkotike.

Në njoftimin e SHÇBA-së në atë kohë bëhej me dije se të arrestuar kishin mbetur:

- Komisar Elvin Karaj, me detyrë Shef i Seksionit të Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, me masë sigurie “Arrest në burg”.

- N/Komisar Endrit Vika., me detyrë Specialist i Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, me masë sigurie “Arrest në burg”.

- Inspektor Ermal Beharaj, me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe të Përgjimit në DVP Fier, me masë sigurie “Arrest në burg”.

- Inspektor Erlind Likaj, me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, me masë sigurie “Arrest në burg”.

- Inspektor Ornel Kuqari, me detyrën e Laborantit Kriminalistik pranë DVP Fier, me masë sigurie “Arrest në burg”.

Ndërkohë që do të vendosej masa “detyrim paraqitje” për efektivët: Gazmir Preçi (i arrestuar mbrëmjen e sotme në Durrës), Ylli Koroveshaj dhe Irfan Bajramaj, po për të njëjtat akuza.

Sipas SHÇBA-së në atë kohë, "punonjësit e policisë dyshoheshin për shpërdorim detyre gjatë periudhës qershor – shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat