Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Kështu ndodhi së fundmi në rrugën “Hamëz Jashari” në Prishtinë.
Policia i ndali disa të rinj për kontroll, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme dhe si rezultat njëri prej tyre u kap me një sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë.
Sinjali ka mësuar se i dyshuari që përfundoi në pranga të Policisë është Merttug Hasan, rreth 23-vjeçar.
Pas përfundimit të kontrollit policor, droga është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.