Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj drejtoreshës së Inspeksionit, Entela Hyseni, si dhe udhëheqësit të Inspeksionit, Salih Kqiku.
Në një përgjigje për Telegrafin, zyrtarja për informim me publikun, Liridona Xheladini, tha se me datë 10 mars 2025 është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit, Salih Kqiku.
Ndërkaq më datë 18 mars 2025, është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës, Entela Hyseni.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, më datë 10.03.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.K., për shkak të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërsa, më datë 18.03.2025 është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës E.H., për shkak të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar'”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.