Policia kufitare gjatë së dieles duket se ka qenë goxha e zënë në parandalimin e rasteve të kontrabandimit.
Njësitet kufitare kanë arritur që në tri raste të kapin mallra dhe gjësende tjera që personat e dyshuar tentuan t’i fusin në territorin e Kosovës.
Në rastin e parë, në Qafë Prush, në orët e para të ditës së djeshme është hasur automjeti kombi të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë në të cilën kishte një ngarkesë me mallra. Për ngarkesën (mallin) i dyshuari nuk posedonte kupon fiskal si dhe as dokumente për kalim kufitar. Me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa automjeti me ngarkesë mbetet për trajtim nga Dogana e Kosovës dhe inspektori komunal.
Në rastin e dytë, në Dubravë të Istogut, njësiti policor ka ndaluar kamionin me targa vendore në të cilin kishin qenë dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë dhe në kamion kishin të ngarkuar 30 trupa druri teknik breu. Për rastin janë njoftuar zyrtarët e APK-së, të cilët kanë sekuestruar kamionin se bashku me drunjtë. Pas intervistimit, dy të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Kurse, në rastin e tretë, në fshatin Zërnosek të Leposaviqit, njësiti policor ka ndaluar kamionin me targa vendore i cili dyshohet se kishte ardhur nga drejtimi i Serbisë duke shfrytëzuar rrugët ilegale, me drejtues mashkull kosovar. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor SPMK Leposaviq dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar, ndërsa malli dhe kamioneta janë konfiskuar dhe dërguar në terminalin Doganor.