I morën ryshfet kandidates për të kaluar vozitjen, ndalohen dy zyrtarë publikë

Kronikë e zezë

I morën ryshfet kandidates për të kaluar vozitjen, ndalohen dy zyrtarë publikë

Nga: H.O. Më: 19 maj 2025 Në ora: 21:25
Ilustrim

Në një njoftim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë bëhet e ditur se dy persona janë ndaluar për shkak të marrjes së ryshfetit, në testin e vozitjes.

Sipas prokurorisë thuhet se dy zyrtarë publikë i kanë kërkuar ryshfet një kandidateje, e cila më pas e ka kaluar edhe testin e vozitjes.

Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Njoftimi i plotë:

Prishtinë, 19.05.2025 – Prokuroria Themelore në Prishtinë/Departamenti për Krime të Rënda/Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit njofton opinionin publik se në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të saj në luftimin e korrupsionit dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare, me datë 19.05.2025 ka ndaluar me vendim të prokurorit dy persona për shkak të veprave penale Marrja e ryshfetit nga neni 421 dhe Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Personat e ndaluar janë zyrtarë publikë të cilët dyshohen se me qëllim që viktima të kalojë testin praktik të vozitjes i kanë kërkuar para ryshfet, të cilat i kanë pranuar dhe për shumën e pranuar, kandidatja ka kaluar testin.

Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afateve ligjore, Prokurori i Shtetit do të ndërmerr veprimet e nevojshme procedurale në grumbullimin e provave.

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave, si dhe dërgimin para gjykatës të secilit kryes të këtyre veprave penale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat