Një rast i rëndë i shkatërrimit të ambientit është zbuluar në fshatin Popovc të Leposaviqit, ku një person dyshohet se ka kryer gërmime ilegale me makineri të rëndë, pa leje të vlefshme nga autoritetet kompetente.
Sipas informatave që ka siguruar, ngjarja ka ndodhur më 19 maj 2025, rreth orës 13:30, kur burime nga terreni kanë sinjalizuar për një person që po gërmonte masiv shkëmbor afër rrugës së fshatit, duke përdorur pajisje industriale.
Media mëson ekskluzivisht se në vendin e ngjarjes është hasur Sasa Vukojević, rreth 57-vjeçar, i cili ka pretenduar fillimisht se ka leje për punimet, por pas ndërhyrjes të njësive të hetimeve dhe inspektorëve të mjedisit dhe minierave, është konstatuar se nuk posedonte asnjë dokumentacion të rregullt për aktivitetin që po zhvillonte.
Për rastin është njoftuar edhe Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet për “Ndotje, degradim ose shkatërrim të mjedisit”, ndërsa makineritë e përdorura në vendin e punës janë konfiskuar përkohësisht.
I dyshuari është liruar pas intervistimit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të verifikuar dëmin e shkaktuar në terren, si dhe për të vlerësuar nëse ka ndodhur shkelje të tjera në fushën e sigurisë mjedisore dhe shfrytëzimit të resurseve natyrore.
Sinjali do të vijojë të raportojë për çdo zhvillim të ri rreth këtij rasti që ka ngritur shqetësim në mesin e banorëve dhe aktivistëve të mjedisit.