Policia heton sulmin e rëndë ndaj një qytetari në Prizren, reagojnë aktivistët romë

Kronikë e zezë

Policia heton sulmin e rëndë ndaj një qytetari në Prizren, reagojnë aktivistët romë

Më: 17 qershor 2025 Në ora: 14:11
Foto ilustrim

Policia e Kosovës të martën ka bërë të ditur se është duke hetuar një rast të lëndimit të rëndë trupor që ka ndodhur me datë 9 qershor 2025 dhe për identifikimin e të dyshuarve ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve.

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Prizren, njofton opinionin publik se më datë 11.06.2025, në ora 11:50, është raportuar rasti “Lëndim i rëndë trupor” nga qytetari M.M., mashkull, 30 vjeç, banues në Prizren. Sipas ankuesit, rasti ka ndodhur më 09.06.2025, rreth orës 06:00 të mëngjesit në rrugën “Mursel Osmanaj” në Prizren, ku i njëjti është sulmuar fizikisht nga dy persona të panjohur. Sipas deklarimeve të viktimës, të dyshuarit ishin me një motoçikletë dhe të pajisur me helmeta në kokë, çka ka vështirësuar identifikimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Tutje sqarohet se hetuesit e Stacionit Policor në Prizren kanë arritur të sigurojnë pamje video të incidentit dhe të personave të dyshuar, dhe se janë duke punuar intensivisht në identifikimin e tyre si dhe në sqarimin e motivit të mundshëm të këtij rasti.

“Policia e Kosovës inkurajon qytetarët që posedojnë informacione relevante për këtë rast të kontaktojnë organet e rendit për të ndihmuar në zbardhjen sa më të shpejtë dhe të saktë të tij. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për garantimin e sigurisë publike dhe hetimin e rasteve me profesionalizëm dhe transparencë”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë rast një ditë me parë kanë reaguar edhe aktivistët e komunitetit rom, të cilët kanë theksuar se në këtë rast viktimë është një pjesëtar i komunitetit rom.

Rreth orës 6:00 të mëngjesit, viktima po priste autobusin pranë Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” për të shkuar në punë në një depo të quajtur “Liri”. Ai, një djalë i thjeshtë dhe i ndershëm, jeton në kushte të vështira – pa nënë dhe me një prind që ka aftësi të kufizuara, duke u përpjekur çdo ditë të mbajë familjen me punën e tij të ndershme. Në atë moment, dy të rinj me motoçikletë i janë afruar dhe i kanë kërkuar para. Kur viktima nuk ka pasur mundësi t’ua japë, njëri prej tyre e ka goditur me shqelm në fytyrë, duke i thyer nofullën në mënyrë të tmerrshme. Sulmi brutal është një akt i pastër diskriminimi dhe dhune ndaj një njeriu që përballet me vështirësi të mëdha jetese.

Viktima M.M. është dërguar menjëherë në Spitalin e Prizrenit, ku po trajtohet me kujdes të veçantë. Sot pritet të i nënshtrohet një operacioni për riparimin e nofullës së thyer, ndërsa familja dhe komuniteti presin me ankth për shërimin e tij”, thuhet në reagim.

Aty është theksuar se autoritetet e rendit kanë reaguar shpejt, duke siguruar pamjet e kamerave të sigurisë nga vendi i ngjarjes.

Kjo ngjarje tronditëse hedh dritë mbi sfidat e mëdha që përballen komunitetet e margjinalizuara në Kosovë, veçanërisht komuniteti rom, i cili shpesh përballet me diskriminim, padrejtësi dhe mungesë mbështetjeje. Historia e këtij burri të thjeshtë, i cili përpiqet të mbajë familjen në këmbë në kushte të vështira, është një thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim për të ndalur dhunën dhe diskriminimin ndaj të gjithë atyre që jetojnë në skajet e shoqërisë”, thuhet në reagimin e shpërndarë nga aktivistët romë në Prizren.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat