Dyshohet për shitje të drogës, policia kap të dyshuarin me kokainë dhe armë në Prishtinë

Kronikë e zezë

Dyshohet për shitje të drogës, policia kap të dyshuarin me kokainë dhe armë në Prishtinë

Më: 18 qershor 2025 Në ora: 10:24
Foto ilustrim

Njësitet e specializuara të Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve kanë realizuar një operacion në Prishtinë, që rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari mashkull kosovar, është ndaluar teksa drejtonte një veturë me targa vendore, mbi dyshimet për shitblerje të substancave narkotike.

Gjatë kontrollit fillestar, policia ka sekuestruar 0.4 gram kokainë, 380 euro para të gatshme dhe një telefon mobil.

Më pas, me urdhër të prokurorit, është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar: 45.6 gram kokainë, një armë zjarri me dy karikatorë, 9 fishekë të kalibrit 9 mm, 8 fishekë të kalibrit 7.65 mm, një peshore digjitale, një pajisje DVR e kamerave të sigurisë dhe një telefon tjetër.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Hetimet janë në vazhdim. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat