Tri raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë të shtunës në Prishtinë. Lidhur me këto raste, dy persona u dërguan në mbajtje e dy të tjerë u liruan në procedurë të rregullt.
Në rastin e parë, raportohet se një grua është sulmuar fizikisht nga personi me të cilin bashkëjeton dhe ka një fëmijë. I dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.
“Prishtinë / 04.10.2025 – 05:30. Dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje në shtëpi viktima/f/k ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari m/k, me të cilin është duke bashkëjetuar dhe kanë një fëmijë. Si pasoj e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thtuhet në njoftim.
Në rastin e dytë, një grua dhe një burrë u arrestuan nën dyshimin se sulmuan njëri-tjetrin.
“Prishtinë / 04.10.2025 – 11:30. Janë arrestuar një mashkull dhe një femër kosovar/e për shkak se derisa kishin qenë duke qëndruar në banesë të marr me qira pas një mosmarrëveshje e kishin sulmuar fizikisht njëri tjetrin. Pas intervistimit me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Edhe në rastin e tretë, raportohet se një grua është sulmuar fizikisht nga personi me të cilin është në lidhje. I dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.
“Prishtinë / 04.10.2025-23:00.Viktima f/k ka pranuar se pas një mosmarrëveshje verbale është sulmuar fizikisht nga i dyshuari m/k me të cilin është në lidhje, por nuk bashkëjetojnë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.