Një ngjarje e pazakontë është regjistruar pasditen e së dielës në Ferizaj, ku një person ka shtënë me armë zjarri gjatë zhvillimit të një dasme familjare.
Sipas të dhënave nga burimet, rasti ka ndodhur më 05 tetor 2025, rreth orës 15:30, në rrugën “Mihajl Grameno”, ku është raportuar për të shtëna me armë. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka identifikuar të dyshuarin si Shaqir Hysen Isufi, rreth 56-vjeçar nikoqir i dasmës ku kishte ndodhur incidenti.
Gjatë kontaktit me policinë, i dyshuari ka pranuar se kishte shtënë me armë, duke deklaruar se arma ishte me leje. Megjithatë, në vendngjarje janë sekuestruar arma e tipit “Kor”, kalibër 9×19 mm, tetë gëzhoja si dhe leja e armës, për verifikim dhe procedura të mëtejshme ligjore.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tij është iniciuar rast për veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe verifikimin e të gjitha elementeve ligjore të rastit.