Policia e Kosovës sërish ka dhënë daje për përleshjen që ka ndodhur të shtunën e 31 janarit në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, ku theksohet se u rrezikua drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike.
Policia e Kosovës njofton se si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve operative të koordinuara, janë identifikuar dhe proceduar personat e përfshirë në këtë rast.
Hetimet paraprake tregojnë se konflikti ka filluar mes dy grupeve personash pranë një lokali afarist, ku situata ka eskaluar me përdorim armësh zjarri. Më pas, përleshja ka vazhduar në një lokacion tjetër të qytetit, ku një veturë është përdorur si mjet rrezikimi ndaj qytetarëve, duke shkaktuar lëndime trupore, ndërsa dyshohet edhe për të shtëna nga vetura në lëvizje.
Në vendngjarje, njësitë policore kanë kryer ekzaminime kriminalistike dhe forenzike, duke sekuestruar gëzhoja dhe fragmente predhash, municion, mjete të forta dhe veturën e dyshuar.
Hetimi po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, për vepra penale si: tentativë për vrasje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje e paautorizuar e armëve.
Si rezultat i punës intensive hetimore janë identifikuar dhe intervistuar të gjithë personat relevantë, janë siguruar video-incizime dhe prova materiale, janë realizuar tri bastisje në lokacione të ndryshme, si dhe janë konfiskuar dy armë zjarri dhe prova shtesë me rëndësi për procedurën penale.
Policia raporton se pesë persona janë të dyshuar për përfshirje në rast, prej të cilëve njëri, me iniciale A.T., është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa katër të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.