Policia e Kosovës ka realizuar të mërkurën një kontroll në një banesë në Suharekë, ku ka gjetur dhe sekuestruar narkotikë, armë dhe mjete të rrezikshme. Aksioni është zhvilluar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.
Kontrolli është kryer në shtëpinë ku banonte i dyshuari me inicialet L.Sh. Gjatë operacionit policia ka gjetur rreth 178.72 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe 0.91 gram substancë të dyshuar kokainë.
Po ashtu janë sekuestruar një armë automatike (dyshohet me gas) e markës BLOW/SWAT pa numër serik me një karikator, 16 fishekë të kalibrit 9 mm, një telefon mobil dhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur për përgatitjen ose paketimin e narkotikëve.
Gjatë kontrollit policor janë gjetur edhe katër shishe të përgatitura në mënyrë artizanale, të dyshuara se përmbanin lëndë djegëse me mekanizëm ndezës. Për trajtimin e tyre në vendngjarje është thirrur njësia për deminim (EOD), e cila i ka tërhequr për trajtim dhe asgjësim të sigurt.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjithashtu para të gatshme në vlerë prej 350 euro dhe 60 franga zvicerane.
Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prizren.