I dyshuari për mbi 500 kg drogë dorëzohet në polici, kërkohet paraburgim

Kronikë

I dyshuari për mbi 500 kg drogë dorëzohet në polici, kërkohet paraburgim

Më: 28 mars 2026 Në ora: 14:28
Prokuroria Themelore

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se i dyshuari F.N., 46-vjeçar nga fshati Maqitevë i Suharekës, i cili ishte në kërkim, është dorëzuar në Policinë e Kosovës.

Sipas prokurorisë, rasti lidhet me një aksion të zhvilluar më 16 shtator 2025, gjatë të cilit në një objekt në fshatin Maqitevë u sekuestruan mbi 512 kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë (kanabis sativa), në faza të ndryshme të përpunimit dhe tharjes.

“Gjatë aksionit janë konfiskuar edhe armë dhe pajisje të tjera, përfshirë një granatëhedhës, një raketë krahu, një pushkë gjuetie me fishekë, një traktor me rimorkio, mjete pune për kultivim dhe përpunim, si dhe telefona celularë”, tuhet në njoftim.

Po ashtu, me urdhër të prokurorisë janë sekuestruar përkohësisht dy parcela toke në Maqitevë, me sipërfaqe prej 1963 dhe 1438 metrash katrorë.

Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari kishte kultivuar pa autorizim bimën kanabis sativa në zonë malore, me qëllim prodhimin dhe shpërndarjen e narkotikëve në treg.

Ndaj tij janë iniciuar procedura penale për disa vepra, përfshirë kultivimin e paautorizuar të kanabisit, posedimin dhe shpërndarjen e narkotikëve, si dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve.

I dyshuari aktualisht ndodhet në ndalim për 48 orë, ndërsa prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat