Qytetarët për përleshjen e armatosur në Podujevë: Katastrofë, pasha Zotin!
Qytetarët në Podujevë shprehën keqardhje, por edhe indinjatë në lidhje me përleshjen e armatosur në Podujevë, që la katër të plagosur.
Qytetari Behram Kolla i quajti katastrofë të shtënat më armë midis sheshit të Podujevës.
Kolla: Katastrofë, pasha Zotin!
"Katastrofë, Pasha Zotin po, kështu vaki s'ka bo, pa kurgjo hiq në mes të sheshit e popullit me gju kallasha, katastrofë", tha Kolla.
Një tjetër qytetar, Ukshin Hoti, e sheh shqetësuese që njeriu të frikësohet të dalë në qytet të vet.
Hoti: Me u tut njeriu me dalë në vend të vet është shumë keq
"Ata që veprojnë kështu, ata nuk duhet me jetu këtu. Ata i kisha hek prej këtij vendi, i kisha qu në njëfarë xhunglle. Se në këtë liri, me u tut njeri me dal në vend të vetë është shumë keq", tha Hoti.
Ngjashëm mendon edhe qytetari tjetër Halim Morina.
Morina: Menjëherë të kapen e të dënohen
"Vetëm i lumi Zot ka të drejtë, se ai na ka dhënë shpirtin edhe ai na e merr. Ndërsa bandat që dalin me armë nëpër qytet e gjuajnë e vrasin, atë të fajshmin e të pafajshmin e kudo që gjejnë në rrugë, çfarë lyp ai? Ato duhet me i eliminuar, duhet me me, nuk po them me vra, menjëherë me kapë e me çu 30 vjet burg me dënu", tha ai.
Katër persona janë plagosur në Podujevë pas një përleshjeje të armatosur në qendër të këtij qyteti rreth orës 13:30, thanë autoritetet.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se motivi i kësaj ngjarjeje dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje paraprake, ndërsa të dyshuarit kanë lidhje familjare nip dhe dajë, ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake.
Tre nga të plagosurit ishin të përfshirë në të shtënat me armë zjarri, ndërkaq një tjetër ishte kalimtar rasti.