Arrestohet në Prizren një i dyshuar për krime kibernetike, dyshohet se keqpërdori të dhënat e kartelave bankare të shtetasve amerikanë

Kronikë

Arrestohet në Prizren një i dyshuar për krime kibernetike, dyshohet se keqpërdori të dhënat e kartelave bankare të shtetasve amerikanë

Nga: Bota sot Më: 16 korrik 2026 Në ora: 16:50
Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në rajonin e Prizrenit, i dyshuar për përfshirje në veprimtari të krimit kibernetik, në një operacion të realizuar në bashkëpunim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit të Policisë, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës, duke kryer kontroll në një lokacion në rajonin e Prizrenit. Rasti është hetuar në bashkëpunim me autoritetet amerikane.

Hetimet kanë ngritur dyshimet se i arrestuari, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material për vete ose për persona të tjerë, kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve të SHBA-së. Më pas, ai dyshohet se këto të dhëna i kishte vënë në dispozicion për keqpërdorim duke i publikuar në platforma të caktuara online.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa gjatë kontrollit policia ka sekuestruar prova që konsiderohen relevante për hetimin.

Policia bëri të ditur se rasti mbetet në procedurë hetimore dhe se veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në bashkërendim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat