Një person është arrestuar në Pejë pasi dyshohet se gjatë ndjekjes nga policia ka nxjerrë një armë zjarri dhe e ka drejtuar atë në drejtim të një zyrtari policor.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 17 korrik 2026, rreth orës 15:31, në rrugën “Metush Gashi” në Pejë. Gjatë ndërhyrjes, zyrtarët policorë kanë arritur ta neutralizojnë situatën dhe t’ia konfiskojnë të dyshuarit një armë zjarri, një karikator me gjashtë fishekë dhe një thikë.
I dyshuari, mashkull kosovar, është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.