Policia shpëton një 31-vjeçar nga një situatë e rrezikshme, konfiskohet arma

Kronikë

Policia shpëton një 31-vjeçar nga një situatë e rrezikshme, konfiskohet arma

Më: 7 gusht 2026 Në ora: 10:28
Ilustrim

Një person 31-vjeçar është shpëtuar nga Policia e Kosovës pas një situate të rrezikshme që ndodhi pasditen e së enjtes në Parkun e Lirisë në Ferizaj.

Sipas policisë, më 6 gusht 2026, rreth orës 18:26, Stacioni Policor në Ferizaj u njoftua se një person i gjinisë mashkullore po tentonte t’i bënte keq vetes dhe dyshohej se kishte me vete një armë zjarri.

Menjëherë pas pranimit të informacionit, pjesëtarët e Qendrës së Komunikimit Rajonal vendosën kontakt me personin dhe zhvilluan komunikim të vazhdueshëm për ta qetësuar situatën, duke e bindur që ta largonte armën dhe ta vendoste në një vend të sigurt deri në arritjen e patrullave policore.

Në vendngjarje reaguan njësitet e Stacionit Policor në Ferizaj, të cilat arritën ta qetësojnë personin dhe ta largojnë armën e zjarrit, një pistoletë që ndodhej pranë tij në një stol të parkut.

Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit mes Qendrës së Komunikimit Rajonal dhe patrullave policore, personi u largua i sigurt nga zona dhe më pas u shoqërua në stacionin policor, ku mori ndihmë mjekësore dhe trajtim nga ekipi i Emergjencës.

Për rastin janë njoftuar prokurori i shtetit dhe familjarët e personit, ndërsa në bashkëpunim me Sektorin Rajonal të Hetimeve janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.

Policia ka konfiskuar armën e zjarrit së bashku me gjashtë fishekë dhe ka ritheksuar përkushtimin e saj për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve, duke falënderuar edhe ekipet emergjente të Spitalit të Ferizajt për reagimin dhe trajtimin profesional.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat